Drita si fituese e titullit të kampionit dhe Prishtina si fituese e Kupës së Kosovës, kanë mbetur pa e zhvilluar ndeshjen e Superkupës së Kosovës për edicionin e kaluar (2019/2020).
Kjo ndeshje është shtyrë për shkak të ndërprerjes së kampionatit në mars të këtij viti për shkak të pandemisë COVID-19 dhe orarit të ngjeshur sikurse në vazhdim të kampionatit ashtu edhe në stinorin vjeshtor të këtij edicioni.
Dy klubet kanë diskutuar që ndeshjen e Superkupës ta zhvillojnë në Antalia të Turqisë gjatë fazës përgatitore që këto skuadra do ta zhvillojnë në këtë vend gjatë mesit të janarit të vitit që po vjen, ka raportuar “Zëri”.
Për Federatën e Futbollit të Kosovës, nuk ka asnjë problem që ky duel të zhvillohet në Turqi nëse skuadrat dakordohen për një gjë të tillë.
“Nuk është ide e keqe. Nëse klubet dakordohen që ta zhvillojnë Superkupën në Turqi, për neve nuk ka problem”, ka thënë sekretari gjeneral i FFK-së, Eroll Salihu për “Zëri”.
Nëse klubet merren vesh që të luajnë në Turqi, do të ishte hera e parë që skuadrat kosovare do të “luftonin” për një trofe jashtë vendit.
Ndryshe, praktika të tilla përdorin edhe klube nga kampionate të forta evropiane teksa për Superkupa zakonisht luajnë në vende arabe apo edhe në Kinë.