Qeveria e Kosovës sot do të duhet të njoftojë për ndryshimin e masave anti-Covid19. Këtë e kishte thënë para dy ditësh kryeministri Avdullah Hoti.
Rënia e lehtë e numrit të të infektuarve dhe presioni i bizneseve ka bërë që qeveria e Kosovës të shqyrtojë mundësinë e ndryshimit të masave anti-Covid.
Të mërkurën kryeministri Avdullah Hoti, pas një takimi me përfaqësues të odave ekonomike të Kosovës, bëri të ditur të premten do të vendoset për ndryshim të disa masave, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Ai paralajmëroi se pas takimeve që do t’i ketë edhe me profesionistët shëndetësor, masat do të mund të ndryshohen sa i përket orarit të lëvizjes, dhe mundësisë së hapjes së aktiviteteve si ‘Merre me vete’ dhe industrinë ushqimore që ta sjellin shërbimin në shtëpi.
Përfaqësuesit e bizneseve Hotit i kishin kërkuar që të paktën tani në prag të festave të fundvitit të zgjatet orari i lëvizjes, në mënyrë që qytetarët e Kosovës të kenë mundësi që blerjet t’i kryejnë në Kosovë, që të mos e bëjnë këtë duke dalë në vendet fqinje, duke dëmtuar ekonominë me nxjerrjen e mjeteve jashtë vendit.