Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti i është përgjigjur presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, lidhur me deklaratat e tij se sa është ai president, Serbia nuk do ta njohë Kosovën.
Sipas Hotit nuk do të ketë marrëveshje finale me Serbinë pa pasur njohje reciproke.
Kryeministri ka thënë se deklaratat se fqinji ynë verior nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës nuk i kontribuojnë dialogut i cili sipas tij ka rifilluar me parime të qarta për marrëveshje përfundimtare dhe normalizim të marrëdhënieve.
“Nuk ka marrëveshje me Serbinë pa njohje reciproke
Kosova mbetet e përkushtuar që të gjitha çështjet e hapura me Serbinë të përmbyllen përmes dialogut, i cili po zhvillohet në Bruksel, me ndërmjetësimin e BE-së. Deklaratat se fqinji ynë verior nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës nuk i kontribuojnë dialogut. Dialogu ka rifilluar mbi parime të qarta për marrëveshje përfundimtare për normalizim të marrëdhënieve dhe njohje reciproke, dhe nuk do të ketë marrëveshje të pjesshme. Nëse nuk do të ketë njohje reciproke, atëherë nuk do të ketë as marrëveshje.
Kosova do të vazhdojë rrugën drejt Bashkimit Evropian”, ka shkruar Hoti.