Në ditët e fundit në Kosovë është vërejtur një rënie e lehtë e rasteve të reja me koronavirus.
Sidoqoftë, shqetësues mbetet numri i madh i vdekjeve nga COVID-19. Brenda 24 orëve të fundit u raportuan 8 fatalitete nga ky virus.
E numri i rasteve aktive është 11 mijë e 208.
49 mijë e 682 raste u konfirmuan që nga fillimi i pandemisë, prej të cilëve 1 mijë e 248 persona nuk ia dolën ta mposhtin virusin.
Si rrjedhojë e situatës epidemiologjike në Kosovë dhe në rajon, gjatë javës së ardhme priten masa të reja në vendin tonë, të cilët nuk pritet të jenë liruese.
Madje, këto masa kanë shkaktuar edhe përplasje të reja në koalicionin qeverisës.
Shtimi i qarkullimit dhe fluksit të njerëzve në prag të festave të fundvitit siç duket do ta detyrojë qeverinë e Kosovës që t’i shtrëngojë edhe më tepër masat kundër COVID-19. Një gjë të tillë e paralajmëroi edhe sot kryeministri Hoti me anë të një postimi në Facebook, shkruan lajmi.net.
Hoti përmendi trendin e masave të marra në rajon dhe në BE, e madje edhe atë të disa vendeve të cilat janë mbyllur plotësisht. Në këtë kuadër, Hoti tha se janë propozuar masat e reja.
“Tani, në prag të festave, jemi para një rreziku të përhapjes së infeksionit për shkak të lëvizjeve të mëdha të qytetarëve që ndodhin në kohë festash. Të gjithë po e shohim trendin në rritje në BE dhe rajon, ku disa vende janë mbyllur plotësisht. Kjo nënkupton se për disa javë edhe tek ne rastet do të rriten. Prandaj, me propozim të IKSHP-së dhe në konsultim të gjerë, Ministri i Shëndetësisë do të propozojë së shpejti masat shtesë. Masat do të ndërmerren në konsultim edhe me komunat, shoqatat e bizneseve, grupet e ndryshme, si dhe partnerët dhe organizatat ndërkombëtare që po na ndihmojnë në menaxhimin e situatës. Nga muajt e verës, ne jemi duke kryer konsultime javore me partnerët dhe organizatat relevante ndërkombëtare, ku çdo të premte e vlerësojmë situatën dhe marrim rekomandime nga ta”, shkroi Hoti.
Mirëpo qëndrim të tillë nuk ka partneri kryesor i koalicionit qeverisës, AAK-ja. Kryetari i këtij subjekti, Ramush Haradinaj sot përmendi heqjen e tërësishme të orarit të lëvizjes, pasi që sipas tij duhet të mundësohet qarkullim i lirë për mërgimtarët të cilët ia kanë mësyer me të madhe Kosovës.
“Festat e fundvitit e gjallërojnë jetën në Kosovë, familjet tona dhe po ashtu ekonominë e vendit. Zakonshëm po ndodh edhe këtë vit, pavarësisht rrethanave pandemike, sikurse edhe në rrethanat e vështira historike për shqiptarët, mijëra bashkatdhetarë ia kanë mësyrë Kosovës. Apeloj tek institucionet e vendit, që të hiqet ndalesa e qarkullimit, të paktën deri pas festave. Kjo do mundësonte qarkullimin e lirë të motrave e vëllezërve tonë që jetojnë jashtë vendit, e që po hasin në vështirësi të arrijnë në shtëpitë e tyre”, shkroi Haradinaj.
Se nuk do të ketë lirim të masave, e konfirmoi dje në një konferencë për media edhe ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj.
Ky i fundit, pasi rikonfirmoi se në javën e ardhshme do të hyjnë në fuqi masat e reja, tha se lirim të tyre nuk do të ketë. Ai shtoi se masat e reja do të vlejnë për tërë territorin e Kosovës, dhe jo veç e veç për komunat.
“Lirim të masave nuk do të ketë, do të shohim diku do të ketë shtrëngim që të mos ketë grumbullime të njerëzve”, ka thënë Zemaj.