Kosova po hyn në javën vendimtare për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, kur ose duhet të zgjidhet ose vendi të shkojë në zgjedhje të parakohëshme. Partitë nuk kanë dalë në publik me asnjē emër, ndërkohë që Nehat Idrizi, ish Kryetar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës deri tani po përmendet si kandiadatura kryesore konsensuale, pasi vjen nga jeta profesionale dhe jopartiake.
Kosova ka hyrë sot në një prej javëve vendimtare, kur partitë politike duhe të zgjedhin një emër konsensual për president të vendit duke e votuar në Parlament, ose vendi do hyjë në një krizë të rëndë dhe drejt zgjedhjeve të parakohëshme, dhe pa president që do mund të dekretonte fituesit e zgjedhjeve dhe qeverinë e ardhshme.
Kjo për fakti se ushtruesja e detyrës së Presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, mund të ushtrojë këtë detyrë maksimalisht për 6 muaj.
Rrezikun e moszgjedhjes së Presidentit e paralajmëroi edhe kryetari i qeverisë, Avdullah Hoti.
“Jemi para një fakti të rëndë që ose na duhet një emër konsensual dhe të gjitha partitë ta votojnë ose e ardhmja e vendit po shkon drejt një rruge të panjohur, drejt një bllokimi me rrezik stabilitetin e vendit” .
Kjo situatë është paralajmëruar nga shumë figura dhe ekspertë të ndryshëm që kanë theksuar se mungesa e një zgjidhje çon vendin në situata të rrezikshme dhe të panjohura më parë.
Partitë politike ende nuk kanë rënë dakord pēr një emër konkret, përjashto AAK-në e cila ka dalë me emrin e Ramush Haradinajt.
Por kjo mundësi është refuzuar nga PDK-ja, zyrtarët e së cilës e kanë përjashtuar dhënien e kësaj pozite për ndonjë figurë tjetër jashtë PDK-së.
Anash kësai, figura tjetër e gjyqësorit, Nehat Idrizi, i cili për një kohë ushtroi pozitën e Kryetarit të Këshillit Gjyqësor tē Kosovës, po përmendet si një emër potencial dhe konsensual për President të vendit.
Idrizi thuhet se gëzon mbështetjen amerikane për president konsensual.
Për më tepër njoftimet mediale potencojnë që për zgjedhjen e Idrizit është biseduar dhe me kreun e VV-së, Albin Kurti, fakt që nuk është përgënjeshtuar nga ky i fundit.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti as sot nuk ka dhënë datë për organizimin e takimit të liderëve politik lidhur me postin e presidentit.
Ai tha se janë duke munduar të organizojnë sa më parë takimin, por i pyetur nga KosovaPress, nëse ka ndonjë afat kohor se deri kur do të tentohet të gjendet një zgjidhje, Hoti dha një paralajmërim për spektrin politik se nëse nuk arrihet një marrëveshje sa më shpejtë, muaji janar mund të jetë edhe vonë për zgjidhjen e kësaj çështje.
“Jemi duke u munduar të organizojmë sa më parë takimin, tash ftesa formale të shkruara nuk kemi bërë, por jemi duke tentuar që sa më parë të gjejmë një zgjidhje…unë besoj që edhe janari është vonë, por gjithësi sa më parë”, tha ai.