Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka mbajtur sot konferencë për media.
Gjatë kësaj konference kryetari në detyrë Hoxhaj ka thënë se PDK e mirëpret vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ka kërkuar që sa më parë të shkohet në zgjedhjet e parakohshme.
Kryetari Hoxhaj ka thënë se nga 6 tetori i vitit 2019 qytetarët e Kosovës kanë përjetuar dy qeveritë më të dobëta në 20 vjetët e fundit, të cilat kanë prodhuar vetëm lajme negative për vendin.
“Qytetarët e Kosovës, pa fajin e tyre, janë ballafaquar me një mashtrim të madh të dalë nga 6 tetori, i cili më pas prodhoi dy qeveritë më të dobëta që ka pasur vendi ynë. Në këto 14 muajt e fundit qytetarët e Kosovës janë ballafaquar me zhgënjim, mashtrim, shpresë të vjedhur e premtime të papërmbajtura”, ka thënë kryetari në detyrë Hoxhaj.
Ai ka thënë se në degradimin më të madh që i është bërë vendit gjatë kësaj periudhe fajtorë janë vetëm dy qeveritë e fundit, “Kurti” dhe “Hoti”.
Në fund, kryetari Hoxhaj ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës është e gatshme për zgjedhje dhe partia më e përgatitur, më programin më të mirë për të nxjerrë vendin nga kriza e thellë në të cilën është futur.