Këto ditë, Blendi, Genci,Sylejmani,Edoni,Riona,Blerina,Marigona,Joni,Erioni,Valdrin,Endriti e shumë të rinj të tjerë, u besatuan me LDK-në. Atyre nuk iu imponua aderimi në LDK, por ata e imponuan atë të inspiruar nga historia e lavdishme dhe tradita e madhe e saj. Ata janë studentë të shkëlqyeshëm dhe e ardhmja e ndritur e vendit.
LDK është pasuri e kombit, sepse ishte në ballë të proceseve më të vështira, por dhe me fat, se kishte në krye Dr. Ibrahim Rugovën. LDK dhe Rugova i hapën dyert e botës, me politikën e urtë e të mençur të saj. Pa ndihmën e tyre, nuk do të ishim këtu sot, e nuk do të jemi ku aspirojme nesër.
LDK vazhdon të sulmohet dhe ofendohet nga të gjitha partitë e tjera. Ka qenë pjesë e goditjeve të mëdha. Por LDK ka qëndruar dhe nuk është dorëzuar. Para e pas epokës së Rugovës, është ndarë e anatemuar. LDK edhe sot vazhdon të jetë caku i atyre që e duan të shtrirë përtoke. E duan të dobët, e besa edhe të shkatërruar. Pamëshirshëm tentohet të njolloset historia e saj 31 vjeçare nga persona që sot janë edhe deputetë zyrtarë të partive tjera, e të cilët po harrojnë se, historinë e saj e kanë bërë, edhe vëllezërit e tyre më të rritur, prindërit e gjyshërit e tyre. Ata sulmojne LDK-në, e harrojnë që hajna e tradhtarë i bëjnë familjarët e tyre, e disa edhe vetveten, duke qenë pjesë e saj në të kaluarën. Këtë e bëjnë me mision për ta degraduar historinë e lavdishme të LDK-së dhe për të mashtruar elektoratin për disa vota në zgjedhje.
Çdoherë që LDK ka kaluar në faza të rënda, Kosova ka kaluar në faza të rrezikshme. Kosova asnjëherë nuk ka prosperuar me LDK-në e lënduar. Ky konstatim është fakti që duket dhe është koha që tregon realitetin.
Dhe realiteti i ri tani është se LDK do t’i bëjë ballë edhe kësaj stuhie të tmerrshme, sepse etapa e re e saj po vjen. Në LDK do të ringjallet shpresa e rimëkëmbjes me të rinjtë e të rejat e mençura të vendit. Ata që punojnë me trurin e tyre dhe jo me imponimet e të tjerëve. Është sfida e radhës së LDK-së dhe kjo do ta forcojë edhe më shumë. Koha është dhe ajo do të vjen. Kosova ka nevojë për LDK si dikur në vitet e 90-ta të saj. LDK do të ngritet, sepse vendi ka nevojë për të.
LDK është e përjetshme, sepse Kosova është e tillë. E kemi amanet nga Rugova, të punojmë për shtet e për komb. Rruga është e vështirë, por është rruga e drejtë. S’ka kush e ndalë atë!
LDK është vetë Kosova!
LDK është themeli dhe kulmi i shtetndërtimit. LDK është e përjetshme!