Kandidati i PDK-së për kryeministër, Enver Hoxhaj, ka prezantuar planin e këtij subjekti për diasporën sa i përket zgjedhjeve të ardhshme.
Ai ka thënë se në listën e kandidatëve për deputetë, PDK-ja do të ketë tre persona nga diaspora që do të jenë personalitete të veçanta në fushën e ndërmarrësisë dhe profesioneve të tjera, njofton Klan Kosova.
“Partia Demokratike do të inkuadrojë për herë të parë në listën e saj për deputetë tre personalitete të fuqishme intelektuale, profesionale dhe në fushën e ndërmarrësisë që vijnë nga diaspora si dhe do të rikthejë Ministrinë e Diasporës, ku edhe ministri do të jetë nga diaspora.”, ka thënë Hoxhaj.
Këtu më poshtë keni pakon e PDK-së për diasporën në zgjedhjet e ardhshme:
– Partia Demokratike do të inkuadrojë për herë të parë në listën e saj për deputetë 3 personalitete të fuqishme intelektuale, profesionale dhe në fushën e ndërmarrësisë që vijnë nga diaspora;
– Partia Demokratike zotohet se hapin e parë që do ta bëjë në qeveri do të jetë rikthimi i Ministrisë së Diasporës, e cila u shua nga qeveria LVV-LDK, parti që u thirrën shumë në diasporën, dhe ministri do të jetë nga diaspora.
– Partia Demokratike sapo të marrë në udhëheqje qeverinë e ardhshme, do ta ketë si një prej nismave të para parlamentare propozimin e saj për të krijuar ulëse të rezervuara për diasporën shqiptare në Kuvendin e Kosovës, ashtu siç tanimë e kanë shumë vende në rajon dhe gjetiu;
– Të lirohet diaspora nga obligimet e sigurimit kufitar jo vetëm për një vit por deri në anëtarësimin e Republikës se Kosovës në Këshillin e Byrove së Kartonit të Gjelbër. Si rrjedhojë, kartoni i gjelbër i cilitdo shtet në botë do të vlejë edhe në Republikën e Kosovës.