Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK) ka dalë me kërkesë për deputetët e Kuvendit të Kosovës, të cilët sot pritet ta miratojnë në lexim të dytë projektbuxhetin e vitit 2021.
Përmes një komunikate për media, FSSHK-ja bën të ditur se Këshilli Drejtues në mbledhjen e mbajtur të hënën ka marrë vendim që t’u adresohet të gjitha grupeve parlamentare të të gjitha subjekteve politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës me kërkesë që në leximin e dytë të projektbuxhetit për vitin 2021 të përfshihen shtesat në paga.
Këshilli Drejtues bën apel te grupet parlamentare që t’i lënë anash interesat e ngushta dhe njëherë të bëhen bashkë për punëtorët shëndetësorë, duke miratuar me buxhet shtesat, të cilat do të vlejnë deri në përfundimin e pandemisë COVID-19, respektivisht miratimit të Ligjit për Pagat në Sektorin Publik”, thuhet në komunikatë.
FSSHK-ja thotë se mosmiratimi i shtesave do të mbetet përgjegjësi e të gjithë deputetëve pa dallim partie.
“Apel i fundit, mos i dëmtoni punëtorët shëndetësorë, nuk kërkojmë lëmoshë, por dinjitet dhe mirëqenie”, thuhet në fund të komunikatës. /Zëri