Lideri i VV-së, Albin Kurti ka njoftuar se së bashku me Vjosa Osmanin kanë diskutuar për më shumë se një orë, me raportuesen për Ballkanin Perëndimor në Parlamentin Evropian, Znj.Viola von Cramon.
Ai ka shkruar se diskutimi është fokusuar tek situata politike në Kosovë.
Shkrimi i plotë
Bashkë me Presidenten në detyrë, Znj. Vjosa Osmani, Raportuesen për Ballkanin Perëndimor në Parlamentin Evropian, Znj. Viola von Cramon dhe deputetin e të gjelbërve ne Bundestagun Gjerman, Z. Manuel Sarrazin, mbrëmë diskutuam për një orë e gjysmë në Zoom mbi situatën politike në Kosovë, vizionin reformator socio-ekonomik e ligjor të qeverisë sonë të ardhshme pas zgjedhjeve, agjendën tonë për nxjerrjen e shtetit nga kriza e shumëfishtë, si dhe integrimin evropian e rolin e diasporës. Aktivistët shqiptarë, Muhamet Idrizi në Hamburg, me prejardhje nga Mitrovica, dhe, Emiljo Jazxhi, në Berlin e me prejardhje nga Korça, organizuan dhe moderuan këtë debat. Me miq të këtillë shtohet shpresa e rriten mundësitë për vendin tonë.