Gjatë ditës së djeshme, 19 vjeçarja nga Mitrovica, Nazlije Sherifi, e cila vuante nga një sëmundje e rëndë e veshkave ka vdekur.
Në statistikat e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës për COVID-19, është përfshirë edhe vdekja e saj.
Por, rreth kësaj ka reaguar vëllai i Nazlije Sherifit, Ilir Sherifi i cili e ka quajtur rastin për koronavirus si mashtrim.
“Falenderoj IKSHP per mashtrimet dhe montimin e rezultateve si ia don qefi,do vij koha kur do demaskohen te gjith ata qe po tentojn te bejne pa drejtsi ne keto dite te renda per ne”, thuhet në postimin e Ilir Sherifit.
Ndërsa, se ajo ishte e infektuar me COVID-19, kanë deklaruar edhe nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës.
“QKUK ju konfirmon se rasti në fjalë fillimisht ishte trajtuar në Spitalin e Mitrovicës, pastaj në Klinikën Infektive, ku ishte konfirmuar si Covid pozitiv nga Laboratori i Mikrobiologjisë në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike. E njëjta për shkak të përkeqësimit të gjendjes ishte transferuar në Mjekimin Intensiv-Covid, por përkundër përpjekjeve maksimale nga stafi mjekësor nuk kishte arritur të mbijetonte”, është thënë sot për Express.