Kampioni aktual dhe lideri i tabelës në Superligën e Kosovës në futboll, Drita e Gjilanit, dje u është kthyer stërvitjeve për stinorin pranveror.
Skuadra e Ardian Nuhiut pas pushimit për festat e fundvitit ka nisur stërvitjet për një pranverë të nxehtë, aty ku e pret shumë punë si në luftë për titull, ashtu edhe në garat e Kupës.
Sulmuesi i skuadrës gjilanase, Kastriot Rexha, ka thënë se ekipi fizikisht po ndihet mirë, derisa pushimi ka qenë i mirëseardhur për faktin se kishin një vjeshtë shumë të ngarkuar si në garat vendore, ashtu edhe në ato ndërkombëtare.
“Dje kemi filluar me përgatitje, ndërsa sot kemi bërë testet mjekësore, për momentin po ndihemi mirë dhe mendoj se ka qenë një pushim i mirëseardhur pas një edicioni të stërngarkuar që kemi pasur”, ka thënë për “Zeri.info”
Kastriot Rexha, duke folur më pas për stinorin pranveror, ku e pret një garë shumë e fortë. “Mendoj se kemi skuadër të mirë për të arritur objektivat që ka klubi. Sigurisht që do të jetë mjaft e vështirë, mirëpo unë kam besim se në fund do t’ia dalim prapë”, ka përfunduar Kastriot Rexha.