Sindikata e Bashkuar Arsimit të Kosovës (SBASHK) do të takohet me të gjitha subjektet politike me qëllim të informimit rreth kërkesave të tyre, pasi që më shumë se një muaj kanë mbetur deri në ditën e zgjedhjeve nacionale.
Por nga SBASHK-u kanë thënë ndërmjet partive nuk ka pasur asnjëherë dallime ose të kenë pëlqyer ndonjërën prej tyre.
Numri një i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, thotë se takimet do t’i mbajnë me të gjitha subjektet politike për t’i përmbushur kërkesat e tyre.
“Mund të lexohet, edhe subjektet politike edhe opinioni duhet ta di se mësimdhënësit e Kosovës janë votues të partive të ndryshme dhe ne e dimë këtë, dhe SBASHK-u nuk mund t’i sigurojë dhe t’i garantojë asnjërës parti se do t’i ketë votuar e punëtorëve të arsimit, ngase ata te kutia e votës e japin votën për atë që mendojnë se është më i mirë për momentin, por qëllimi jonë është që t’i ndihmojmë se në programin e tyre të punës, së paku sektorin e arsimit ta kenë më të qartë, të dinë cilat janë kërkesat tona që kur ta marrin pushtetin mos të paraqiten se nuk e kanë ditë problemet në arsim”.
Kreu i SBASHK-ut ka thënë se nuk do të mund t’i sigurojnë vota subjekteve politike, pasi që mësimdhënësit në ditën e zgjedhjeve japin votën për atë që mendojnë.
“Pa u shpallur zgjedhjet ne jemi takuar me nënkryetarin e Grupit Parlamentar të AAK-së, Teuta Haxhiun, jemi takuar paraprakisht edhe me kandidatin për kryeministër nga PDK-ja dhe përfaqësuesi ynë është takuar edhe me Albin Kurti, dhe kanë qenë biseda informative dhe për të shprehur gatishmërinë se në të ardhmen mund të takohemi. Ata le ta dinë se ne nuk mund të ju sigurojmë votat e anëtarësisë sonë, por bashkërisht ta shohim se çka mund të bëjmë nëse ata vinë në pushtet”.
Jasharaj ka folur edhe për numrin e të infektuarve nga koronavirusi sa u përket mësimdhënësve dhe nxënësve.
Ai ka shtuar se kanë qenë të infektuar 2301 mësimdhënës, duke përfshirë edhe punëtorët teknikë dhe 1 740 nxënës.
“Unë po thirrem vetëm në një shifër që e kemi marr gjatë komunikimit me MASHT-in, që numri i të prekurve me koronavirusin kishte shënuar shifrën 2 301 punëtorëve arsimor, mësimdhënës apo ata teknikë dhe diku 1.740 nxënës vetëm në këtë periudhë dhe kjo ka ndikuar që IKSHPK-ja dhe Ministria e Shëndetësisë, duke e parë një ngritje të tillë që ta përfundojë para kohe pjesën e parë të mësimit”.
Pas rritjes se rasteve me Covid-19 në shkolla, Qeveria kishte marrë vendimin që të përfundojë gjysmëvjetori i parë, më 18 dhjetor, ndërsa parashihet të vazhdojë më 18 janar.