Aleanca Kosova e Re e drejtuar nga Behgjet Pacolli është shprehur e pakënaqur me renditjen e dhjetë kandidatëve të saj në listën e përbashkët me Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Vesel Makolli nga AKR ka thënë se emrat e kandidatëve të tyre nuk janë renditur sipas marrëveshjes që kanë arritur me LDK-në.
“Ka zbritje në listë dhe për këtë kemi shprehur pakënaqësinë tonë” është shprehur Makolli për KlanKosova.tv.
“Pacolli ka qenë i caktuar që ta ketë numrin 4 por është zhvendosur në 5 dhe kështu ka ndodhur edhe me kandidatë tjerë. Edhe Pacolli ka shprehur pakënaqësinë e tij me këtë – jo për vete – por për atë se nuk është respektuar marrëveshja”.
“Besojmë se do të tejkalohet kjo çështje”, ka shtuar ai.