Manifestimi Kulturor Kombëtar “Flaka e Janarit 2021”, ka vazhduar tutje rrugëtimin e saj me ekspozitën kolektive të arteve pamore “Peneli i Flakës”, i hapur në Galerinë e Arteve në Gjilan, e ku janë ekspozuar punimet e përzgjedhura nga 37 artistë të ndryshëm nga Kosova, Shqipëria e Kosova Lindore, si në pikturë, skulpturë, grafikë e fotografi artistike, ndërsa është ndarë edhe Çmimi Blerës i Galerisë, i cili i ka takuar Sami Shabanit.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka thënë se ndihet i nderuar që është në mesin e artistëve që tani më kanë bërë emër edhe përtej Kosovës, që kanë bërë vepra në nivel kombëtar duke e bërë Gjilani të krenohet. Ai po ashtu ka falënderuar edhe ministren Dumoshi, për prezencën e saj duke e vlerësuar edhe për respektin e treguar në shpalljen e “Flakës së Janarit”, Trashëgimi Shpirtërore, e cila për Gjilanin ka domethënie të madhe.
“Ne i kemi tri Çmime, apo tri vlerësime që Gjilanit i japin nder. Vlerësimi i Presidentes të Republikës për Çmimin e Lirisë, për kontribut kolektiv të Gjilanit, për rolin në vitin 1944-45 të kryengritësve të Gjilanit. Pastaj, Flamurin e Parlamentit Evropian, për Dialog dhe Tolerancë si qyteti më i zhvilluar në dialog dhe tolerancë në Evropën Juglindore dhe shpallja e këtij manifestimi – Trashëgimi Shpirtërore, që është vlerësim i jashtëzakonshëm për ne”, ka thënë kryetari Haziri.
Ai ka bërë me dije se janë duke e ndërtuar edhe muzeun e dytë të qytetit, muzeun etnologjik, ku “Flaka e Janarit”, do ta ketë edhe dhomën e vet në kuadër të këtij vlerësimi që ka marr nga ministria. Po ashtu në Galerinë e Qyteti është duke u punuar, andaj kjo galeri do të mbetet e teatrit, në funksion të kalendarit që teatri dhe bordi i saj e përcakton.
Kryetari Haziri ka falënderuar të gjithë ata artistë që për këto tridhjetë vite nuk janë ndalë asnjëherë dhe po ashtu e ka vlerësuar lartë edhe kontributin e atyre artistëve që janë ndarë nga jeta, por që sa ishin gjallë, kontributi i tyre ka qenë i jashtëzakonshëm.
Kurse ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi e ka vlerësuar këtë organizim shumë përmbajtësor e që i dedikohet sakrificës për lirinë tonë.
Ajo u shpreh se përmes këtyre aktiviteteve kujtojmë të gjithë ata patriotë të cilët dhanë jetën për liri dhe Komuna e Gjilanit njihet me emra e mbiemra të mëdhenj të cilët kanë sakrifikuar për këtë ditë.
Dumoshi tha se ministria tani më e ka futur Festivalin e “Flakës së Janarit”, në Listën e Trashëgimisë Shpirtërore e cila ka një domethënie të madhe dhe ka dimension kombëtar dhe se e ka siguruar kryetarin e komunës së Gjilanit se do t’i qëndrojnë afër edhe me financa për këtë manifestim.
“Ku ka më mirë për mua si ministre, të bashkëpunoj me një kryetar komune, siç është Lutfi Haziri, që gjithmonë është mbështetës i madh i kulturës, edhe atë jo vetëm në Gjilan, por në tërë Kosovën”, ka thënë ministrja Dumoshi, duke e shpallur të hapur ekspozitën.
Profesori Avni Behluli, bartës kryesor i kësaj shtylle të “Flakës…”, ka evokuar kujtime nga organizimet e para të “Penelit të Flakës”, e gjerë më sot, duke rikujtuar vështirësitë në të kaluarën, por edhe organizimet e tanishme në Kosovën e lirë, falë të rënëve për liri.
Përndryshe, Komisioni Vlerësues në përbërje, Gëzim Brestovci, kryetar dhe Blerta Hyseni e Leoneta Abdyli, anëtare, kanë ndarë tri çmime të barabarta edhe atë për: Demush R. Avdimetaj, Hajrush Fazliu dhe Kushtrim Rashiti, ndërkohë që Çmimi Blerës i Galerisë, i ka takuar Sami Shabanit.
Me mirënjohje Post-Mortem, për kontributin e tyre të dhënë për këtë fushë, janë nderuar Demir Behluli dhe Demush Haziri, ndërsa me mirënjohje po ashtu janë nderuar edhe artistët pjesëmarrës në këtë ekspozitë, e cila do të qëndrojë e hapur deri më 31 janar.
Përndryshe, “Flaka e Janarit 2021”, përmes të cilit kujtohen e nderohen heronjtë, dëshmorët dhe martirët e kombit, të rënë nëpër të gjitha periudhat kohore, për liri e mëvetësi kombëtare, do të vazhdojë tutje me Akademinë Përkujtimore për Presidentin Dr. Ibrahim Rugova, që do të mbahet më 21 janar, në ora 16:00, në Teatrin e Qytetit.
Sami Shabani – fitues i Çmimit Blerës të Galerisë në “Peneli i Flakës 2021”
Ndani këtë artikull