Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e mbajtur sot diskutoi në lidhje me aplikacionet dhe votat që do të vijnë nga jashtë shteti për zgjedhjet e 14 shkurtit.
Kryeshefi Ekzekutiv i KQZ-së, Burim Ahmetaj, së bashku me kryetaren e këtij komisioni, Valdete Daka, deklaruan se ka raste që disa individë dërgojnë të njëjtin email të aplikimit në tre emaila zyrtarë, duke i lutur që të mos vazhdojnë ta bëjnë këtë gjë.
Ahmetaj njoftoi edhe se procesi i telefonimit të aplikuesve po shkon në rregull, edhe pse, siç theksoi, kanë pasur disa probleme teknike kur ka mundur të mos shfaqet numri i telefonit, por për këtë ai tha që beson se Posta veçse e ka rregulluar.
“Deri sa ta marrim konfirmimin e fundit nuk do t’i ndalojmë thirrjet ndaj kategorisë së verifikimit. Pavarësisht tentimit të parë e të dytë, do të vazhdojmë t’i thërrasim në mënyrë progresive votuesit”, u shpreh ai.
Jemi në periudhën e shërbimit të votuesve jashtë vendit. Po bëjmë edhe rekrutimin e stafit. Deri më sot janë 14 mijë e 307 aplikacione për votim. 10 e 172 prej tyre janë aprovuar. 68 mijë e-mail të pahapura i kemi deri tash. 2426 janë refuzuar. Aplikuesit po i dërgojnë aplikacionet në 3 e-mail. Pra mund të ketë duplifikime në aplikim. Gjatë procesit të verifikimit do të dihet saktë numri i tyre. Mbi tetëmijë votues janë telefonuar”, ka thënë Ahmetaj.