BE do të aplikojë një certifikatë për vaksinimin, por kjo fillimisht do të vlejë si dokument mjekësor. Se si mund të kushtëzohen avantazhe për lirinë e lëvizjes përmes saj, mbetet të vendoset në muajt e ardhshëm.
Në një video-samit krerët e vendeve të BE-së u konsultuan lidhur me krizën e koronavirusit dhe koordinimin e masave për menaxhimin e saj. Në takim merrte pjesë edhe kancelarja Merkel. Parimisht u pranua ideja për aplikimin e një certifikate vaksinimi. Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, që drejtoi video- konferencën të enjten (21.01), tha se megjithatë BE mbetet e „rezervuar” sa u përket avantazheve që mund të mundësohen nga certifikata e vaksinimit lidhur me udhëtimin. Udhëheqësit e BE-së e diskutuan idenë e përdorimit të certifikatave të vaksinës si një formë pasaporte udhëtimi, por propozimi është ende në fazat e tij të hershme. Gjatë muajve të ardhshëm mund të vendoset konkretisht nëse ky dokument do ta lehtësojë lëvizjen e lirë në kushtet e pandemisë.
Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, tha pas samitit, se për shkak të mutacionit të virusit janë të nevojshme më shumë testime, edhe ndaj variantit të ri që me gjasë është edhe më ngjitës. Synimi i samitit ishte diskutimi për koordinimin e reagimit ndaj pandemisë, duke përfshirë rregullore më të ashpra udhëtimesh dhe shpërndarje masive të vaksinave.
Takimi i nivelit të lartë lidhej me “çështje shumë praktike”, si për shembull si mund të testohen dhjetëra mijëra udhëtarë dhe si të parandalohet transmetueshmëria e infeksionit nga një kufi në tjetrin.
Gjithësesi çështja e ndalimit të udhëtimeve, sikurse kishte propozuar Belgjika, mbetet në dorë të vendeve, tha von der Leyen. Megjithatë tërhiqet vëmendja që të shmangen udhëtimet jo domosdoshmërisht të nevojshme. Raundi i krerëve të vendeve anëtare të BE-së ishte dakord, që tregu i brendshëm e kësisoj qarkullimi i mallrave të mbahet sa më mirë të jetë e mundur në funksionim. Lidhur me furnizimin me vaksina von der Leyen u shpreh optimiste, që BE-ja do të sigurojë mjaftueshëm vaksina për popullsinë e BE-së. Eshtë në interesin e vet BE-së që vaksina sa më shpejt të jetë e mundur të ndahet edhe me rajonet e tjera të botës, u shpreh ajo.
Politikanët në Gjermani kundër mbylljes së kufijve
Shefi i stafit të kancelares Angela Merkel tha, se Gjermania mund t’i mbyllë kufijtë e saj nëse shtetet dështojnë të kontrollojnë menaxhimin e koronavirusit. Paralajmërimi erdhi pak përpara samitit të BE-së mbi pandeminë, i cili u përqendrua tek variantet e reja të COVID.
Helge Braun i tha televizionit publik ARD, se Gjermania duhet të marrë masa për të parandaluar shpërthimin e infeksionit, në mënyrë që vendet të mund të mbrojnë veten nga variantet e reja dhe më të transmetueshme të virusit. “Rreziku qëndron në faktin se kur infeksionet në një shtet rriten, atëherë ky mutacion shndërrohet thuajse në variantin e shumicës, e më pas nuk mund të mbahet nën kontroll,” tha ai. “Si pasojë, rregulla akoma më të rrepta janë të pashmangshme për kufijtë. Dhe duke qenë se asnjë s’do ta donte këtë, është e rëndësishme që të veprojmë sëbashku,”shtoi ai. Braun i tha të mërkurën (20.01) Deutsche Welle-s se mbyllja e kufijve në Europë do të ishte “zgjidhja më e keqe” por ndoshta më “e pashmangshmja”, pa një marrëveshje të përbashkët europiane.
DW Interview mit dem Kanzleramtchef Helge Braun
Ai tha se kontrolli i zinxhirit të mutacionit të ri duhet të jetë prioriteti kryesor për Bashkimin Europian dhe u bëri thirrje anëtarëve të veprojnë në mënyrë të sinkronizuar për të ndaluar përhapjen e këtij mutacioni sa më shumë që të jetë e mundur.
Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Mass u deklarua kundër kontrollit të kufijve. “Mendoj se duhet të bëjmë gjithçka mundemi për të parandaluar që kjo të ndodhë sërish” – u shpreh për ARD ministri Mass. “Të parandalojmë kontrollin kufitar dhe radhë në kufij që shkojnë deri në 50 kilometër.”
Franziska Brantner, zëdhënësja e Partisë së Gjelbër, i tha agjencisë franceze të lajmeve AFP se vendet anëtare duhet të përqendrohen në vendosjen e rregullave të përbashkëta për udhëtimet. “Kontrolli i kufijve nuk është zgjidhje, por vetëm sa ndërlikon më shumë situatën në pikat kufitare,” tha ajo. Vendet e BE-së duhet të adresojnë bashkërisht prodhimin e vaksinës kundër COVID, në mënyrë që të arrijnë nivelin e synuar të vaksinimit prej 70%, deri në verë” shtoi ajo.
Braun tha se ndihej i sigurt se “me ardhjen e pranverës dhe vaksinat, ne do të kthehemi në normalitet dhe se nuk do të ketë më probleme – të paktën jo nga një mutacion viral ngjitës – i cili më pas do të jetë edhe më i vështirë për t’u kontrolluar”.
Qendra Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve raportoi të enjten (21.01) të dhënat 14-ditore të rasteve të reja të raportuara të COVID-19, për 100 mijë banorë. Shifrat e fundit treguan se Gjermania raportoi një normë infeksioni prej 319.4.
Vendet e tjera të BE-së regjistruan normat si më poshtë: Austri 299.6; Belgjikë 248.3; Danimarkë 364.9; Francë 380.9; Greqi 79.3; Itali 374.1; Hollandë 555.4; Spanjë 804.5; dhe; Suedi 669. Ndërkohë, Britania e Madhe raportoi një normë prej 1112.1./DW