Zyra për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim do t’i propozojë KQZ-së certifikimin në pako të subjekteve politike dhe kandidatëve, për shkak të vështirësive që ka hasur në interpretimin e nenit të ligjit për zgjedhje, që ua ndalon kandidimin atyre që janë dënuar në tri vitet e fundit.
Këtë e ka thënë ish-anëtari i VV-së në KQZ, Adnan Rrustemi.
Ai ka publikuar edhe një pjesë të këtij dokumenti.
“Zyra për Regjistrimin dhe Certifikimin e Partive Politike rekomandon certifikimin e të gjithë kandidatëve.
Qëndrim dhe vlerësim profesional i Zyres. Rekomandimi i Zyres nuk mund të ndryshohet nga anëtarët e KQZ-së që vijnë nga partitë politike.
Sot KQZ-ja e ka përpara rekomandimin për të certifikuar kandidatët. Çfarëdo veprimi tjetër do të ishte antikushtetues dhe krejtësisht politik për të luftuar një subjekt politik siç është Lëvizja”, ka shkruar ai.
Ndërkohë, KQZ në këto momente është duke mbajtur mbledhje.