Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti ka qenë sot për një vizitë në Pejë, ku ka bashkëbiseduar me të rinjtë e këtij qyteti.
Gjatë fjalës së tij, Hoti ndër të tjerash theksoi se kur ka marrë Qeverinë në duar, e ka gjetur të bllokuar e me sanksione.
” E kemi gjetur vendin të bllokuar plotësisht, me sanksione nga SHBA-të, me sanksione financiare nga SHBA-të. Imagjinojeni në 2020-në, Kosovën me ju vendos sanksione nga SHBA-të. I kemi hap të gjitha dyert të cilat mandej na kanë quar në marrëveshjen e Washingtonit të 4 shtatorit”, ka thënë ai.
Hoti tha se është bërë gjithçka që kjo marrëveshje të degradohet, duke lënë të kuptohet se një gjë e tillë është bërë nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Kanë bërë gjithçka për me e degradu këtë marrëveshje e cila tash është konfirmuar prapë nga administrata e re amerikane. Një marrëveshje e cila ka sjellë një njohje të re, një marrëveshje e cila sjellë 1 miliard dollarë në 4 vitet e ardhshme. Një marrëveshje që këta të tjerët as nuk do kishin mundur me pa andërr. Se nuk flet kush me ta, kanë qenë të diskomunikum dhe kanë me vazhdu me qenë të diskomunikum”, është shprehur ai.
Hoti theksoi se LVV-ja vetëm se po sheh një imazh të mundësisë për pushtet, i ka rënë në qafë KQZ-së e dojnë me e çmend.
“Sepse janë duke e cënuar, tentojnë me e cënu rendin demokratik, demokracinë në vend. Veç jon tu e pa një imazh të mundësisë për pushtet, se nuk kanë me e pa, ju garantoj që nuk kanë me e pa. Veç me atë imazh qe ju del para syve natën të mundësisë për pushtet, i kanë ra në qafë KQZ-së si institucion i pavarur dhe duan me e çmend. E kërcënojnë e shantazhojnë e nuk lënë gjë pa bërë”, tha Hoti.
Ai tha se “këta njerëz nuk e meritojnë që të vijnë në pushtet dhe ne do të kujdesemi që këta mos me ardh në pushtet”.