Subjektet politike, të cilat garojnë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, tashmë kanë nisur fushatën zgjedhore jozyrtarisht. Në tubimet e organizuara me qytetarë në ambiente të mbyllura dhe të hapura, ato po e shkelin Ligjin për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19.
Por, inspektoratet e komunave të ndryshme të Kosovës, përveç të Komunës së Prishtinës, ende nuk u kanë shqiptuar subjekteve politike gjobat e parapara me këtë ligj, për shkelje të masave të cilat janë në fuqi me vendimin e Qeverisë në detyrë të Kosovës.
Sipas vendimit të Qeverisë në detyrë të Kosovës, të datës 15 janar, në hapësira të mbyllura ndalohet grumbullimi i qytetarëve në numër prej më shumë se 30 personave, kurse në sheshe publike parqe dhe vende publike, lejohet grumbullimi deri në 50 persona.
Gjobat për mosrespektim e Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, fillojnë nga 35 deri në 2.000 euro, varësisht nga shkeljet.
Në fotot e publikuara në rrjete sociale prej vetë zyrtarëve të subjekteve politike nga takimet që kanë pasur me qytetarë, është parë se numri i personave të mbledhur tejkalon numrin e lejuar sipas vendimit të fundit të qeverisë në detyrë lidhur me këtë çështje, si dhe masat tjera.
Tubime të tilla janë shënuar gati se në të gjitha komunat e Kosovës.
Drejtues të inspektorateve të disa prej këtyre komunave thonë se ende nuk kanë shqiptuar asnjë gjobë ndaj organizuesve të këtyre tubimeve, për arsye të ndryshme.
Shumica e komunave nuk i gjobisin subjektet politike
Milaim Hajdari, drejtor i Drejtorisë së Inspektoratit të Komunës së Drenasit, thotë për Radion Evropa e Lirë se çështja e tubimeve elektorale, të cilat po organizohen nga subjektet politike, duke shkelur masat dhe Ligjin për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, është tejet shqetësuese.
Qindra njerëz kanë marrë pjesë edhe në këtë organizim paraelektoral të organizuar nga PDK-ja në Burojë. Siç shihet në fotografi, nuk respektohen masat kundër COVID-19. 26.01.2021, Burojë, Skenderaj.
Sipas tij, inspektorët e kësaj komune ende nuk kanë shqiptuar asnjë gjobë, por tash e dy ditë janë duke i shqyrtuar informacionet lidhur me tubimet në komunën e tyre.
Siç thotë ai, inspektorët komunalë e mbikëqyrin situatën gjatë orarit të tyre të punës, deri në orën 16:00. Pas orës 17:00, sipas tij, me mbikëqyrjen e situatës duhet të merren inspektorët e nivelit qendror. Por, deri më tash, siç vlerëson Hajdari, kjo mënyrë e punës nuk ka krijuar ndonjë efekt në drejtim të shqiptimit të gjobave për subjektet politike që kanë bërë shkelje ligjore përmes tubimeve.
Marrë parasysh, thotë ai, situatën e krijuar gjatë fushatës zgjedhore, e cila është ende jozyrtare, dhe shkeljet ligjore që po bëhen përmes tubimeve, drejtorati që ai drejton do të mobilizojë kapacitete shtesë për të pasur mbikëqyrje më të madhe në terren.
“Ne do të shohim dhe do të ngremë edhe numrin e ekipeve mbikëqyrëse, sepse vetëm me një ekip që ka vetëm dy ose tre inspektorë, është problematike që të mbulohet terreni. Kjo për shkak se zakonisht në Drenas, për aq sa po shohim ne, këto tubime po mbahen në ambiente të mbyllura në viset rurale, nëpër oda, gjë që edhe për ne është vështirë që t’i identifikojmë. Por, po e them sinqerisht, kjo paraqet shqetësim. Unë tashmë kam bërë një riformatim të ekipeve dhe do të jemi shumë më të vëmendshëm përballë kësaj dukurie”, thekson Hajdari.
Në Komunën e Malishevës, sipas drejtorit të Drejtorisë së Inspektoratit të kësaj komune, Dibran Kastrati, janë mbajtur dy tubime të mëdha me qytetarë nga Partia Demokratike dhe Nisma Socialdemokrate.
Deri më tash, siç thotë ai për Radion Evropa e Lirë, inspektorarët e kësaj komune nuk kanë shqiptuar asnjë gjobë lidhur me shkeljet ligjore nga subjektet politike, por rastet janë duke u shqyrtuar.
Me 24 janar, lideri i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka takuar bashkqytetarë të tij në Malishevë. Mungojnë maskat dhe mjetet e tjera mbrojtëse. 24.01.2021, Malishevë.
“Ne, pardje dhe dje (e mërkurë dhe e enjte) i kemi pasur dy tubime pak më të mëdha. Përndryshe, për tubimee tjera, nëpër oda dhe nëpër ambiente të vogla dhe të ngushta, nuk kemi pasur informacione. Por, për këto dy tubimet e fundit, jemi duke diskutuar dhe jemi duke i shqyrtuar mundësitë për hapat e mëtutjeshëm. Pra, në vazhdimësi të mos i lejojmë më tubimet e tilla, por edhe të shohim për masat tjera që do të marrim si drejtori”, thotë Kastrati.
Në Komunën e Deçanit, po ashtu janë shënuar tubime të qytetarëve, të organizuara nga subjektet politike, e në të cilat nuk janë respektuar masat aktuale për parandalimin dhe luftimin e përhapjes së COVID-19.
Drejtori i Drejtorisë së Inspektoratit të Komunës së Deçanit, Halil Tolaj, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, theksoi se në gjithë komunën është një inspektor sanitar, i cili ka për detyrë të mbikëqyrë edhe respektimin e masave dhe ligjit për parandalimin dhe luftimin e COVID-19.
“Ne, zakonisht, në fund të muajit e marrim raportin, por nuk kam dëgjuar që (inspektori sanitar) e ka ndërmarrë ndonjë veprim deri tash, sepse këto po mbahen në orë të vona të natës, po mbhahen nëpër oda. Po mbahen edhe nëpër salla, por nuk kam dëgjuar se inspektori e ka marrë ndonjë veprim, të paktën deri tash. Me një inspektor sanitar, në këtë situatë, e kam shumë vështirë të ndërmarrë diçka”, thekson Tolaj.
Situata e ngjashme është gati se në të gjitha komunat e Kosovës.
Inspektorati në Prishtinë, tetë gjoba për subjektet politike
Por, krejtësisht ndryshe pasqyrohet situata në Komunën e Prishtinës. Deri më tash, është e vetmja komunë ku inspektorët komualë u kanë shqiptuar gjoba subjekteve politike, për tubimet në të cilat nuk është respektuar Ligji për parandalim dhe luftimin e COVID-19, si dhe masat e miratuara nga qeveria në detyrë.
Drejtori i Drejtorisë së Inspektoratit të Komunës së Prishtinës, Adonis Tahiri, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson se deri më 29 janar, kanë shqiptuar tetë gjoba ndaj subjekteve politike që kanë shkelur ligjin dhe masat për parandalimin dhe luftimin e COVID-19. Sipas tij, Lidhjes Demokratike të Kosovës i janë shqiptuar tri gjoba, Partisë Demokratike të Kosovës dy gjoba, ndërkaq nga një gjobë u janë shqiptuar Lëvizjes Vetëvendosje, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate.
“Disa prej tyre janë për tejkalim të numrit të lejuar në tubim, disa janë për mungesë të maskave dhe disa të tjera pë mugesë të distancës së lejuar. Vlera e të gjitha gjobave është e njëjtë, nga 2.000 euro, sipas nenit 25, pikës 1 të Ligjit kundër COVID-19, të cilin e kanë votuar vetë këto subjekte. E kemi thënë disa herë që është hipokrizi që po këta politikanë i kanë votuar këto masa dhe ligje, si dhe kanë kërkuar nga ne angazhim 24 orësh për zbatimin e tyre. Ndërkaq, në anën tjetër, janë po të njëjtit që i shkelin ligjet që i kanë miratuar vetë”, thotë Tahiri.
Që nga futja në fuqi të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e COVID-19, më 26 gusht të vitit 2020 e deri më 28 janar të vitit 2021, sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, të cilat ia ka dërguar Radios Evropa e Lirë, “janë shqiptuar 125.420 fletë-paraqitje ndaj personave pa dallime, për moszbatim të masave ndaj pandemisë COVID-19”.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen më 14 shkurt. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, subjektet politike do të kenë 10 ditë për fushatë zgjedhore, nga data 3 shkurt e deri më 12 shkurt.