Albin Kurti, kandidat për kryeministër ka treguar për planet e Vetëvendosjes për shërbimin ushtarak të detyrueshëm.
Kurti në DebatPernime ka thënë se LVV ka planifikuar që ky shërbim të jetë 6 mujor. Por, Kurti nuk ka dhënë detaje se sa do të jetë buxheti i republikës së Kosovës, nën qeverisjen e tij, për FSK-në.
“Do ta bëjmë ushtrinë 6 muaj, 3 muaj verës dhe 3 muaj dimrit. Ne do ta bëjmë shërbimin ushtarak të detyrueshëm vetëm nëse do të pajtohen (të rinjtë) përndryshe do të kenë shërbim civil. Kemi kohë në 2021 ta planifikojmë buxhetin për vitin tjetër, por do ta rishikojmë buxhetin aktual menjëherë dhe do ta sjellim në Kuvend në legjislaturën e ardhshme”, ka thënë Kurti.
Albin Kurti së bashku me ekipin e tij, Glauk Konjufca, Arben Vitia, Hekuran Murati, Albulena Haxhiu, Arbërie Nagavci, Fitore Pacolli, Jeta Statovci, Mimoza Kusari, Rozeta Hajdari nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista ‘Vjosa’, sonte janë të ftuar në #DebatPernime.
Cila është oferta e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Listës së Vjosa Osmanit në zgjedhjet e 14 shkurtit?
Cilat janë planet e Albin Kurtit dhe ekipit që ai i udhëheq për luftimin e korrupsionit?
A do të jetë kryeministër ai pas zgjedhjeve të 14 shkurtit?
Siç dihet, Kurti nuk është certifikuar në listën e Vetëvendosjes nga ana e KQZ-së, pas vendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës ai mbeti përfundimisht jashtë listës së votuesve.
Mirëpo, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka dorëzuar KQZ-së, listë të re edhe pas vendimit të Supremes, duke e lënë kështu listën e njëjtë.