Nxitur nga temperaturat e ngrohta në vendin tonë, mijëra shtetas shqiptarë nga Kosova kanë vendosur të udhëtojnë drejt Shqipërisë për të kaluar fundjavën. Ka nga ata që rrugën e largët e marrin edhe për të kryer shërbime shëndetësore në vendin tonë.
Gjatë ditës së sotme mbi 12 mijë shqiptarë të Kosovës dhe mbi 4500 mjete kanë kaluar kufirin në doganën e Morinës, ndërkohë që për të hyrë në territorin shqiptar pritjet zgjasin deri në 30 minuta.
Për të përballuar fluksin, policia kufitare po punon me 5 sportele dhe procedurë të përshpejtuar, por radha mbetet sërish shumë e gjatë.
Vetëm këtë javë kanë hyrë në Shqipëri, rreth 20 mijë shtetas kosovarë, të cilët thonë se kufiri mes dy vendeve nuk duhet të ekzistojë.