Deputeti shqiptar, Shaip Kamberi, dje në Kuvendin e Serbisë mbajti fjalim në gjuhën shqipe, çka nuk ju pëlqeu disa deputetëve serbë, të cilët bën zhurmë dhe pengonin.
Kamberi në një prononcim për Gazetën Online “Reporteri.net” ka thënë se fjalimi i tij u pengua nga një numër i deputetëve të Serbisë, të cilët nuk ndaleshin duke bërë zhurmë derisa fliste.
Nuk kishin dëshirë të dëgjojnë një numër i deputetëve, tentonin të bëjnë zhurmë që të mos dëgjohej fjalimi. Pas fjalës sime, grupi jonë parlamentar për shkak të sjelljes së tyre doli nga seanca”, ka treguar Kamberi për Reporteri.net.
Kamberi shton më tej se gjendja e demokracisë në Serbi nuk mund të matet me atë se ju lejua atij të flas shqip në Kuvend, pasi këtë të drejtë ia jep ligji për Kuvendit.
“Gjendja e demokracisë nuk mund të matet me mundësinë që unë me fol shqip, kur ishte çështja e flamurit nuk treguan aspak mirëkuptim. Vet mundësia me fol shqip, nuk do të thotë që Serbia është demokratike. Problemi qëndron në atë se refuzohen vazhdimisht kërkesat e shqiptarëve”, tha Kamberi për Reporteri.net.
I pyetur se a do të mbajë sërish fjalim në gjuhën shqipe në Kuvendin e Serbisë, Kamberi thotë po.
“Do të flasë sërish në gjuhën shqipe, por do të flas varësisht nga temat që do t’i ngriti”, ka deklaruar ai.