Kryetari i Degës së LDK-së dhe i Komunës së Gjilanit, njëherësh nënkryetar në nivel qendror, Lutfi Haziri, ka votuar sot bashkë me familjen e tij në shkollën “Abaz Ajeti”.
Ai ka apeluar qytetarët që në qetësi dhe në mënyrë solemne të dalin dhe të votojnë sepse kjo është dita e tyre.
“Uroj që kjo ditë e bardhë në Gjilan të jetë ditë ku çdo qytetari ia jep mundësinë që me votën e vetë ta vendos vullnetin qytetar, në mënyrë që të kemi institucione stabile të shtetit, një mandat kushtetues të rregullt dhe ta largojmë kulturën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
Është votë për stabilitet e për institucione dhe partitë politike e kanë për obligim bashkërisht të punojnë dhe ta ruajnë.
Gjilanasit sot po votojnë dhe numri i tyre është i mirë krahasuar me zgjedhjet e kaluara. Në kushte dimri, po punojmë që të lehtësohen të gjitha hyrje-daljet dhe rrugët e fshatrave e qytetit.
Apeloj qytetarët që në qetësi dhe në mënyrë solemne të dalin dhe të votojnë sepse kjo është dita jonë, dita e qytetarëve”, ka thënë Haziri.