Kryetari i Nisma-s, Fatmir Limaj, ka uruar Lëvizjen Vetëvendosje për fitoren në zgjedhjet e përgjithshme.
Ai është shprehur në konferencë për media se tash është koha që fituesit të nisin punën, njofton KlanKosova.tv
“Keni bërë fushatë me një kauzë humane dhe patriotike. Në emër të kryesisë së partisë ju falënderoj të gjithë juve që keni votuar Nisma-n. Janë vota të shpirtit. Kemi arritur objektive të madhe me faktin që ata tentuan ta përdhosin kauzën tonë, arritëm t’i kthejmë në skenën politike”, ka thënë Limaj.
“Të gjithë ata që tentuan t’i fyejnë ato vlera gjatë fushatës elektorale ata u kthyen në ato vlera. Do të vazhdojmë që frymën çlimrimatre ta vazhdojmë edhe më tutje. Nisma nuk do të jetë pjesë e parlamentit, por ne do të vazhdojmë angazhimin tonë dhe promovimin e kauzës tonë. Nuk heqim dorë nga përkushtimi për atdheun”.
“Do të vazhdojmë zotimet tona, si ligji kundër gjenocidit. Ky do të jetë angazhimi ynë permanent. Nisma nga opozita do të vazhdojë t’i mbikëqyrë ata që kanë fituar. Uroj ata që kanë fituar. Koha për të fajësuar ka mbaruar, është koha e punës”.