Kryetari në detyrë i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë se nuk është penduar që e ka prishur koalicionin me Lëvizjen Vetëvendosje, ndërkaq u shpreh se Albin Kurti e Vjosa Osmani kanë treguar mungesë elementare të dijes për të qeverisur.
Përmes një reagimi në Facebook, Mustafa ka shkruar se në vend të Lëvizjes Vetëvendosje ai ka zgjedhur partneritetin me Shtete e Bashkuara të Amerikës.
“E ndëshkuan, sepse nuk u nënshtrua ndaj propagandës së majtë, ndaj dhunës dhe presionit, ashtu siç nuk u nënshtrua nga Serbia në vitet e nëntëdhjeta. Apo, pse??? Se është ndëshkuar, pse e kemi prishur koalicionin me VV-në, unë nuk pendohem, sepse do ta prishja edhe sot”, shkruan Mustafa.
Siç tha ai, “ndërmjet SHBA-së dhe VV-së, LDK ka zgjedhur partneritetin me SHBA-të”.
“Ndërmjet konfrontimit me administratën e Presidentit Tramp dhe me Lëvizjen Vetëvendosje, LDK ka zgjedhur të evitojë çdo konfrontim dhe acarim të marrëdhënieve me SHBA por është rreshtuar në ndërtimin e raporteve miqësore”, shprehet Mustafa.
I pari i LDK-së, tha se Kurti e Osmani nuk kanë dhënë asnjë përgjigje gjatë debatit ku u paraqitën bashkë dhe sipas tij kanë treguar mungesë elementare të dijes për të qeverisur.
Ai ka kritikuar edhe qytetarët të cilët e kanë votuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe Vjosa Osmanin.
“Nëse e keni përcjellur me kujdes debatin e fundit të “zotit Kryeministër”dhe të “znj Presidente”, do të ishte mirë të ia sqaroni vetes të nderuar qytetarë dhe të nderuar ju votues të deridjeshëm të LDK-së se cilat ishin përgjigjet e tyre për të ardhmen e Kosovës”, shkruan Mustafa.
“Për zhvillimin ekonomik, për përmbylljen e dialogut, për relacionet me SHBA-të. Unë nuk vërejta asnjë përgjigje por vetëm ikje nga përgjigjet. Mungesë elementare të dijes për të qeverisur”, shkruan Mustafa në Facebook./telegrafi/