Shkruan: Ark.Bahrije Mahmuti Beqiri
Thirrje dhe ri-thirrje përgjegjësve ligjorë të komunës së Gjilanit e të Republikës së Kosovës.
Legjitimimi i së keqes prej neve shumicës që rrimë e sodisim, sjell asgjë më pak se ligësi shoqërore!
Po e filloj këtë shkresë timen me thënien e Dr. Martin L. Kingut: “Fol për atë në të cilën beson.
Jetët tona fillojnë të mbarojnë në ditën kur ne heshtim për gjërat që kanë rëndësi për ne”!
Prandaj, e nxitur si përherë nga përgjegjësia profesionale dhe qytetare e jo pse atakohem unë personalisht, vendosa sërish ta ngre zërin e të reagoj.
Hartimi i Planit Zhvillimor Komunal (PZHK) dhe i Hartës Zonale Komunale (HZK), është proces shumë me rëndësi (do të thosha krucial) për komunën e Gjilanit, por gjithsesi i filluar mbrapsht nga ky institucion dhe jo pa dije e pa qëllim.
Por, ky proces, sa i rëndësishëm për zhvillimin e komunës, po del të jetë edhe më i leverdishëm për zhvatësit e komunës. Proces i filluar jo vetëm se në kundërshtim me bazën ligjore por i projektuar si proces i legjitimimit të katrahurës urbane të instaluar dhe të rritur gjatë këtyre viteve të qeverisjes komunale – ose më mirë: të qorrollisjes urbane e komunale!
Madje, komuna paska filluar edhe një proces të kundërligjshëm: Hartimin e Hartës Zonale të Komunës, edhe pse në nenin 11, pika 1.5 të Ligji Nr. 04/L-174 për Planifikim Hapësinor, thuhet se Autoritetit Përgjegjës Komunal për Planifikim dhe Menaxhim Hapësinor është përgjegjës që të bëjë: “hartimin e Hartës Zonale të Komunës, në përputhje me Hartën Zonale të Kosovës dhe normat teknike të planifikimit hapësinor, nëntë (9) muaj pas miratimit përfundimtar të Planit Zhvillimor Komunal.” Paradoksale dhe absurde apo jo?
Ende pa përfunduar procesi i hartimit të Planit Zhvillimor Komunal, komuna nxiton ta përfundojë Hartën Zonale të Komunës. Pse ky nxitim se?!
Më absurde, por me prioritet se këto dy procese paralele (e në kundërshtim me Ligjin) po dalin të jenë vendimet e sponsorizuar nga drejtori “eksperti i fushës” në seancën e fundit, ku u aktivizua thuajse e tërë ”makineria e kuvendit” se si të quhen këto vendime : plotësime, ndryshime….!?
Vendim për ndryshim ! Apo, Vendim për plotësim!
Si do që ti quani (pasi aty u pa qartë “harrnimi” dhe “varfëria profesionale”) tentimi për ta legjitimuar një veprim-vendim të kundërligjshëm i disa viteve më parë! Kur këtë kundërligjshmëri e ka konfirmuar edhe organi kompetent MAPL-MMPH.
Kjo iniciativë dhe insistim për një vendim të kundërligjshëm, me u plotësua me një propozim po të kundërligjshëm është absurd i llojit vet, por jo i vetmi. E për mua si zyrtare dhe përgjegjëse e kësaj fushe veçse shpërfaqi një turp-dokument i quajtur “elaborat” i harruar në atë kohë, e i cili nuk elaboron bash asgjë, një hiç dokument siç nuk dinte ta prezantonte bash hiq edhe sponsorizuari dhe mbështetësit e tij!
Kur iniciativa udhëhiqet me hile e për lakmi-leverdi personale, shpërfaq gabimet e ashtuquajtura në këtë rast “teknike ” po dolën të kenë qenë “taktike” për kohën-t’ kaluarën, e ndërsa “toksike” për të tashmen e të ardhmen!
Por besoj se shumë shpejt koha do të na dëshmon për këto veprime të paligjshme e të ligve, nga përgjegjësit ligjor-monitorues e zbatues -pasi jo të gjithë bëjnë gabime “taktike” e “teknike” por besoj se ndjejnë përgjegjësi dhe dashuri për vendin dhe të ardhmen!
Edhe pse shumë herë nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, revidimi i pjesshëm i dokumenteve të planifikimit hapësinor, siç ishin këto dy vendime për të cilat po flasim, është vlerësuar qartë si veprim në kundërshtim me dispozitat e legjislacionit në fuqi, përgjegjësve komunalë as që ua ka lënë “vi”. Në njërin vesh u ka hy, e nga tjetri vesh u ka dalë kjo “përrallë” e ministrisë kompetente e përsëritur disa herë e për disa ndërhyrje të paligjshme të komunës në planet rregulluese të zonës urbane.
Pra, përkundër vendimeve e rekomandimeve të ministrisë, Drejtoria për Urbanizëm, Planifikim dhe Mjedisit, ka vazhduar me ndryshimin – revidimin e pjesshëm të dokumenteve të planifikimit hapësinor, edhe pse Ligji Nr. 04/L-174 për Planifikim Hapësinor nuk e parasheh revidimin e pjesshëm të dokumenteve të planifikimit hapësinor.
Mirëpo, tashmë është e qartë se prioritet i drejtorisë dhe i komunës nuk ka qenë asnjë herë hartimi i Planit Zhvillimor Komunal të qëndrueshëm dhe i Hartës Zonale të Komunës, por, prioritet i lartë i tyre ka qenë ndryshimi apo revidimi i pjesshëm i dokumenteve të planifikimit hapësinorë, duke i mundësuar vetës së tyre dhe grupeve të caktuara të interesit që të përfitojnë nga zhvillimi i kësaj ndërhyrje të kundërligjshme.
Po si mund të jetë ndryshe kur këtij pushteti anarkistësh, nuk i del kush para me ia ndal hovin e yryshin e shkatërrimit urban të qytetit?! Nuk po e bën këtë asnjë instancë komunale e shtetërore të cilat e kanë për detyrë ta bëjnë zbatimin e ligjeve. A thua pse? Vallë, u bëmë vërtetë të gjithë tok me mendësinë shkatërruese të pushtetarëve të ligë (të cilët para së gjithash janë me deficit të skajshëm të formësimit kombëtar e kulturor), që për detyrë të parë dhe të fundit e kanë pasurimin e tyre dhe të një kaste rreth tyre?! U bëmë të gjithë tok me mendësinë e “derrave të kënaqur” të Migjenit?! Sa e si po duket – fatkeqësisht PO!
Por, përkundër kësaj shëmtie që po ndodhë para syve tanë, unë nuk dua të dorëzohem dhe të besoj se të gjithë jemi bërë kaq të lig e lakmitarë! Jo, assesi.
Qoftë edhe e vetmuar (edhe pse jam koshiente se kam shumë përkrahës e bashkëmendimtarë të heshtur në qytetin tim), unë nuk mund të heshti para këtyre proceseve te liga përderisa unë si zyrtare e profesioniste paguhem nga taksat e bashkëqytetarëve të mi të cilët, me gjak, me djersë e për shumë vite e decenie e ndërtuan këtë komunë e këtë qytet. Unë, thjesht, duhet të jem në shërbim të tyre në çdo kohë dhe ta bëj për ta, më të mirën që di dhe që mundem.
Komuna, le që bëri tejkalime dhe shkelje të skajshme ligjore me këtë qasje por, përgjatë këtij procesi, me asnjë akt nuk na e dëshmoi përkushtimin e saj për të mirën e përgjithshme. Gjë që ishte edhe e pritur. E si mund ta bënte ndryshe kur komuna e dinte se procesi është joligjor dhe si i tillë, patjetër duhej të ishte jo transparent. Fshehin dhe nuk janë transparentë para popullit vetëm ata që bëjnë dallavere dhe që kanë çka të fshehin.
Pra, punohet shpejtë, jashtëligjshëm dhe tinëzisht me një të vetmen arsye – për ti joshur interesat personale të pushtetarëve dhe të koniunkturës së tyre që i rrethon.
Dhe sërish: Si ka mundësi se ky hov i kësaj katrahure urbane të mos tentohet seriozisht me u ndalë një herë e përgjithmonë?!
Deri kur kështu?!
Koha gjithsesi ka me ua dhënë “notën” e merituar të gjithë qëllimkëqijave e keqbërësve që po e qeverisin komunën tonë për shumë vite, por jam e sigurt që atëherë do të jetë shumë vonë sepse shëmtia që po na ndodhë këtyre viteve do të jetë e konsoliduar dhe e qëndrueshme. Ajo, do të jetojë pranë nesh dhe me ne, për decenie me radhë e larg përtej shekullit që po e jetojmë.
Për të mos i frymëzuar gjeneratat e reja se e liga mund të triumfojë mbi të mirën dhe mbi ligjin, sërish po e përfundoj me thënien e Dr.Martin L. Kingut: “Dhe se gjithmonë duhet të flasim për atë në të cilën besojmë”! Vjen një kohë kur heshtja e jonë kolektive bëhet tradhti.