Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik në Kosovë (IKSHPK), Naser Ramadani, ka thënë se gjatë dy javëve të fundit ka rënie të numrit të rasteve pozitive me COVID-19 si dhe rënie të rasteve të vdekjeve.
Këto komente Ramadani i bëri gjatë takimit të Komitetit për Koordinim dhe Vlerësim të Situatës me COVID-19.
“Në dy javët e fundit kemi ulje të rasteve pozitive, një zvogëlim të rasteve të vdekjeve. Infektushmeria është stabilizu, nuk ka shpërthim të infektimeve”, ka thënë ai.
Tutje, Ramadani ka thënë se masat antiCOVID duhet të vazhdojnë dhe të respektohen nga qytetarët.
“Ne do të vazhdojmë masat me një intensitet të shtuar, në mënyre që të ulen rastet pozitive. IKSHPK synon 0 raste pozitive, por duhet angazhimi i të gjithëve”, tha ai, transmeton Telegrafi.
Gjithashtu, Ramandai potencoi se kanë bërë të gjitha përgatitjet e duhura për vaksinat antiCOVID, dhe se ekipet janë gati.
Po ashtu, ai theksoi se janë duke bërë hulumtime edhe për rastet e variantit të ri të coranavirusit.