Policia e Kosovës ka ndërmarrë sot një aksion të gjerë, teksa ka arrestuar U.D e kryeshefit të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, Agim Nuhën dhe zyrtarë të tjerë, si dhe ka konfiskuar një numër të madh dokumentesh, transmeton Gazeta Sinjali.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë Themelore në Prishtinë kanë bërë të ditur se ka dyshime për manipulime me dokumentacionin kadastral që lidhen me veprat penale “keqpërdorim i pozitës zyrtare” dhe “falsifikim i dokumenteve”.
Aksioni është shtrirë edhe në zyret e ministrisë së Bujqësisë në komunën e Gjilanit. Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Sinjali drejtori i Bujqësisë dhe Pylltarisë në këtë komunë, Ramiz Ramadani.
“Ka aksione në regjionin e Gjilanit. Ne në kuadër të drejtorisë nuk e kemi asnjë shqetësim, kurrfarë. Kjo është në kuadër të ministrisë, pra zyrave të ministrisë në Gjilan. Nuk di detaje të tjera”, ka thënë ai.
Ndryshe Gazeta Sinjali ka mësuar se aksione të tilla janë zhvilluar në Lipjan, Istog e Prishtinë. /Gazeta Sinjali/