Kryesia e dorëhequr e Lidhjes Demokratike të Kosovës do të mblidhet sot në orën 16:30. Këtë e kanë konfirmuar për Express nga brenda kryesisë së kësaj partie, e cila në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare mori rezultatin më të dobët të histori të kësaj partie, që është më e vjetra në vend.
Në këtë mbledhje, pritet të diskutohet edhe për datën e mundshme për mbajtjen e Kuvendit zgjedhor, ku do të zgjidhej kryetari i ri.
Kryetari i dorëhequr i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë dje për Express se deri në fund të kësaj jave do të caktohet data për mbajtjen e Kuvendit të LDK-së nga ku do të dalë shefi i ri i partisë.
“Deri në fund të javës do të caktohet data e mbajtjes së Kuvendit për zgjedhjen e Kryetarit të ri të LDK-së”, ka thënë Mustafa.
Një ditë pas zgjedhjeve, Isa Mustafa dha dorëheqje nga pozita e kryetarit të LDK-së, duke marrë një pjesë të përgjegjësisë për rezultatin e zgjedhjeve. /Express/