Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përmbyllur të hënën procesin e numërimit të votave me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta. Ndërsa këtë mëngjes ka filluar me numërimin e votave të ardhura përmes postës.
Janë 56 mijë e 610 zarfe me fletëvotime të cilat do të numërohen këtu në QNR.
Pas numërimit të votave me kusht që përfundoi dje, tani mbetet edhe përfundimi i atyre me postë dhe përfundimi i disa procedurave tjera në QNR, ku pastaj Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mund të shpall rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve që u mbajtën më 14 shkurt.
QNR fillon numërimin edhe të votave të diasporës, për të cilat Prokuroria ka hapur një proces gjyqësor.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tha se nuk tregoi saktë se sa do të marrë numërimi i votave të diasporës, por shtoi se momentalisht janë aktive 25 tavolina numërimi.
“Është e vështirë të themi se sa orë apo ditë do të marrë numërimi i fletëvotimeve të ardhura nga jashtë vendi. Sigurisht që do të na duhet më shumë se një ditë kohë për të bërë numërimin e këtyre fletëvotimeve, natyrisht është numër i konsiderueshëm i tyre, janë 56 mijë e 610 zarfe me fletëvotime, gjithsej janë 25 tavolina numërimi aktive këtu në QNR. Shpresoj që sa më shpejt të arrijmë të përfundojmë numërimin e tyre” tha Elezi
Sipas tij, pasi të përfundojë procesi i numërimit të votave të diasporës, të ardhura përmes postës dhe disa procedura që janë në QNR, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, mund të shpallë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të 14 shkurtit, dhe pastaj kandidatët dhe subjektet politike mund të paraqesin ankesat e tyre në PZAP.
“Menjëherë pasi të përfundoj procesi i numërimit të këtyre fletëvotimeve të ardhura përmes postës dhe disa procedura të tjera që janë në QNR… pas këtyre KQZ mund ta shpallë rezultatin përfundimtarë të zgjedhjeve, duhet të përmendim se me shpalljen e rezultatit përfundimtar nuk përmbyllet procesi zgjedhor pasi janë subjektet politike dhe kandidatët të cilët kanë të drejtë të paraqesin ankesat e tyre në PZAP lidhur me këto rezultate. Ankesat mund të paraqiten brenda 24 ore nga moment i shpalljes së rezultatit nga ana e KQZ-së, siç e dini ky institucion ka më së shumti deri në 3 ditë për të vendosur lidhur me ankesat që paraqiten dhe nëse palët janë të pakënaqura me vendimin e PZAP, atëherë të njëjtat mund t’ i drejtohen brenda 24 orëve Prokurorisë dhe Gjykatës Supreme, e cila gjithashtu ka 3 ditë kohë më së shumti për të vendosur lidhur me ankesat në fjalë. KQZ vepron çdoherë në përputhje me vendimet e këtyre institucioneve pra do të presim vendimmarrjen e tyre se çfarë janë ato vendime dhe të veprojmë në përputhje me to dhe të procedojmë, pra drejt certifikimit të rezultatit përfundimtarë të zgjedhjeve”, tha Elezi.