Donika Gërvalla, kandidatja për deputete nga radhët e Iniciativës së Vjosa Osmanit, ka reaguar ndaj ish-emisarit Richard Grenell, pasi ka vazhduar ta akuzojë Albin Kurtin se është kundër politikave amerikane.
Gërvalla thotë se Albin Kurti që jo se jo, por në Kosovë asnjë person që di të numërojë deri në tre nuk është kundër Amerikës, njofton Klan Kosova.
Ajo hedh kritika në drejtim të Grenellit teksa thekson se në Gjermani, ish-ambasadori Grenell ka qenë skandaloz e po aq skandaloz ka qenë edhe si i dërguar i presidentit amerikan në Kosovë.
“Në Gjermani Grenelli ka qenë një ambasador skandaloz dhe po aq skandaloz ka qenë si i dërguar i presidentit amerikan në Kosovë. Qytetarët amerikan i kanë larguar tashmë që të dy nga postet e tyre të larta. Të dy kanë tentuar më pas që zgjedhjet e lira në Amerikë të mos i pranojnë duke i quajtuar të manipuluara, gënjeshtra këto që kulmuan në sulmin e armatosur ndaj Kapitolit duke i shfaqur botës ndër imazhet më të shëmtuara që kemi parë ndonjëherë nga Amerika”.
Reagimi i plotë i Gërvallës:
Sipas të gjitha sondazheve ndërkombëtare, shqiptarët janë populli më proamerikan i këtij planeti. Jo vetëm Albin Kurti që jo se jo, por në Kosovë asnjë person që di të numërojë deri në tre nuk është kundër Amerikës. Arsyen e dimë të gjithë.
Në Gjermani Grenelli ka qenë një ambasador skandaloz dhe po aq skandaloz ka qenë si i dërguar i presidentit amerikan në Kosovë. Qytetarët amerikan i kanë larguar tashmë që të dy nga postet e tyre të larta. Të dy kanë tentuar më pas që zgjedhjet e lira në Amerikë të mos i pranojnë duke i quajtuar të manipuluara, gënjeshtra këto që kulmuan në sulmin e armatosur ndaj Kapitolit duke i shfaqur botës ndër imazhet më të shëmtuara që kemi parë ndonjëherë nga Amerika.
As Trumpi dhe as Grenelli nuk janë interesuar asnjë herë për Kosovën, ata interesohen vetëm për veten e tyre. Për fat të mirë, Grenelli mbetet vetëm një episod i shkurtër dhe i shëmtuar për vendin tonë.
Presidenti Biden është një mik i vërtetë i Kosovës. Në vend të gjuhës së presionit, administrata e re amerikane ofron mbështetjen e saj për sfidat e shumta që na presin. Këto janë marrëdhëniet normale mes Amerikës dhe Kosovës.
Sa mirë të dish që Grenelli është vetëm një kapitull i së djeshmes dhe që e vetmja gjë që i ka mbetur janë mesazhet në Twitter.
Zoti i ka bekuar Amerikën dhe Kosovën dhe miqësinë e tyre të përhershme.