Atë që e thonin legjendat në eposin e kreshnikëve, e ndesha një ditë mu n’atë kullë Drenice n’Prekaz, gjashtë vjet para një tundje vetëflijimi të madh.
– E banëm atë që duhet me ba në nderin tonë, për diellin e për tokën tonë… – e tha Shaban Jashari, dikur një mësues patriot, i ulur pranë oxhakut e i ngazëllyer nga krenaria që pak ditë më parë me t’bijtë: Hamzën e Ademin i ngrehën pushkët me Serbinë, të cilën e bënë t’i dridhet toka nën këmbë si dikur krajlive të tyre n’Drenicë.
Teksa nënë Zahidja po endej për mikëpritjen sa më t’përzemërt për miqt e largët, disa fëmijë pak më andej, duke ndjekë rrëfimin e gjyshit të tyre, po na shikonin buzagaz, mbase edhe ata të “lastuar” për betejën që e kishin parë atë ditë, si n’filma, pa e ditur mirë peshën e saj.
Gjashtë vjet më vonë (më 7 Mars 1998) po këta fëmijë do të piqen para kohe, do ta skuqin tokën e qiellin dhe bashkë me gjyshërit, baballarët, nënat, vëllezërit e motrat, do t’përkunden përjetësisht nga lavdia e gjëmimit të pushkëve të lirisë me kangët e Osa Kuk’s e t’Zhujë Selmanit…!
Do të kenë kënduar edhe këta, pse jo, ngase po me këto kangë ishin rritë e frymëzue.
Një ushtri prej tre brezave.. prej një gjaku, prej një fisi, po bëhej theror për liri…për atdhe…për Flamur…!
Vetëm njëri nga ata (Besarta), do të mbetej lajmësi i fitores që preku majën e historisë së luftës për liri.
Autori i shkrimit, Shefik Surdulli