Të dashur qytetarë të Komunës së Preshevës,
Këto zgjedhje të parakohshme kanë ardhur në një kohë shumë të vështirë për qytetarët tanë.
Qytetarët e Preshevës janë prekur nga pandemia dhe shteti serb i ka lënë në harresë pa kurrëfarë përkujdesje gjatë gjithë kohës, duke vazhduar diskriminimin sistematik të tyre.
Derisa Beogradi kujdeset për të vaksionuar pushtetarët e zyrtarët e lartë të komunës, qytetarët e Preshevës mbeten të izoluar e të kërcënuar nga virusi.
Beogradi ka gjetur bashkëpunëtorë e servilë në Presheve që jo vetëm nuk i pengojnë në përpjekjet e tyre anti-shqiptare por edhe i ndihmjnë dhe marrin pjesë në përkeqësimin e vazhdueshëm të gjendjes në trojet tona autoktone.
Kjo gjendje është e pa tolerueshme dhe duhet të marrë fund me këto zgjedhje të parakohshme.
Me votën tuaj në zgjedhjet e 28 marsit ju do të keni mundësi që të ndëshkoni poshtërimin dhe diskriminimin që po na bën të gjithëve pushteti qendror serb së bashku me zyrtarët që ata kanë emëruar në pushtetin lokal.
Unë si kryetar i ardhshëm i Preshevës nuk do të lë adresë pa kontaktuar për ta siguruar sa më parë vaksinën për të gjithë qytetarët e Preshevës, në mënyrë që sa më parë ta tejkalojmë këtë krizë pandemike dhe t’i kthehemi jetës normale.
Falë mbështetjes me votën tuaj ne mund të sjellim ndryshimin e shumëpritur, mund të rimëkëmbim ekonominë, rrisim mirëqënien e qytetarëve.
Ne mund të krijojmë mundësi e vende të reja pune, në mënyrë që rinjtë tanë mos të detyrohen më të ikin nga vendilindja.
Qeverisja e re e PDSH-së do të jetë adresa më e sigurtë për zhvillimin e bizneseve familjare, të vogla e të mesme dhe përfundimin e zonës industriale në Preshevë si dhe ngritjen e dinjitetit të shqiptarëve si popull autokton në këto treva.
Gjithashtu do të kemi kujdes të shtuar në fuqizimin e gruas shqiptare në shoqëri e vendimmarrje dhe rritjen e kujdesit social ndaj qytetarëve me ekonomi të ulët familjare.
Të dashur qytetarë, arsimi është baza e zhvillimit të popullit tonë.
Duke qenë në kohë pandemie, Qeverisja e re e PDSH-së në Preshevë do të siguroj mësim online për të gjithë nxënësit përmes platformës televizive për nxënësit e shkollimit fillor.
Krahas kësaj, secili nxënës i ciklit të ulët do të pajiset me tablet, libra falas dhe shujtë ushqimore ditore.
Ndërsa, të gjithë nxënësit e ciklit të lartë mësimor do të kenë kabinetet adekuate për secilën lëndë mësimore.
Të dashur qytetarë, po e nisim këtë fushatë zgjedhorë pikërisht në ditën historike të Referendumit të inicuar nga PDSH më 1 dhe 2 mars 1992 ku shqiptarët e dhanë verdiktin e tyre të lirë për bashkimin e Luginës së Preshevës me Republikën e Kosovës.
Ky referendum vazhdon të mos respektohet nga shteti serb dhe shqiptarët më shumë se kurrë vazhdojnë të diskriminohen në tokat e tyre autoktone si pasojë edhe e lidershipit të dobët komunal dhe si rezultat i jo stabilitetit politik në 4 vitet e kaluara.
PDSH do të ofroj qeverisje stabile dhe transparente për qytetarët e Preshevës, në mënyrë që qeverisja t’I kthehet në dorë qytetarëve të Preshevës e jo byrokratëve.
Presheva ka nevojë për kthim të dinjitetit në rrugën e drejtë ku shqiptarët autokton vendosin vet për fatin e tyre.
Andaj, më 28 mars, qytetarët e Preshevës do të votojnë për PDSH-në dhe për mua si kryetar, për ta rikthyer qeverisjen e ndershme, qeverisjen e mirë dhe për të punuar për ëndrrën tonë shekullore, për bashkimin kombëtar.
Ragmi Mustafa një jetë kushtuar shqiptarëve të Luginës së Preshevës
Ndani këtë artikull