Bisedimet teknike në mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, kanë filluar më 8 mars 2011.
Deri te fillimi i bisedimeve erdhi pasi Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më 2010 miratoi rezolutën nga 27 vendet e atëhershme të BE-së, e cila hapi rrugë për fillimin e dialogut, me qëllim të paqes, sigurisë dhe stabilitetit.
Në një gjë të tillë kontribuoi mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë më 2010, sipas të cilit, shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk paraqet shkelje të së drejtës ndërkombëtare.
Dialogun teknik në vitin 2011 e ka udhëhequr Qeveria e Kosovës, dhe në krye të ekipit negociator të Kosovës ishte Edita Tahiri.
Edhe pse në fillim u paralajmërua që Kosova do të bisedojë me Serbinë vetëm për çështje teknike, të cilat janë udhëhequr nga ekipet teknike të të dyja shteteve, në fund 2012, krahas bisedimeve teknike, filluar edhe bisedimet në nivelin politik për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Negociatat u zhvilluan nga kryeministrat e atëhershëm, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq. Marrëveshja e parë në kuadër të këtij procesi u arrit ndërmjet dy kryeministrave, në prill 2013. Më vonë, procesi u ngrit në negociata në nivel të presidentëve. Kosovën e përfaqësonte presidenti Hashim Thaçi, ndërsa Serbinë Aleksandar Vuçiq.
Deri më tani janë arritur mbi 23 marrëveshje në dialogun në nivelin teknik dhe politik. Marrëveshja e parë më 2011 ishte për regjistrat civil. Në vitin 2015 është arritur marrëveshja për shpërbërjen dhe integrimin e të ashtuquajturës “Mbrojtja civile” në veri të Kosovës, marrëveshja për njohjen reciproke të policave të automjeteve, për energji si dhe marrëveshja për certifikatat ADR, ndërsa në janar 2017 marrëveshja për integrimin e gjyqësorit në veri të Kosovës.
Në nëntor 2018, Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Ramush Haradinaj vendosi taksë 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja, duke e kushtëzuar tërheqjen e këtij vendimi me njohjen e Kosovës nga Beogradi zyrtar.
Ndërsa, Albin Kurti, i cili drejtoi Qeverinë e Kosovës për 51 ditë, në vitin 2020 e shfuqizoi vendimin për taksa dhe e zëvendësoi me masa të reciprocitetit.
Pas rënies së Qeverisë Kurti, në krye të Ekzekutivit erdhi Avdullah Hoti nga radhët e LDK-së, i cili ndër vendimet e tij të para që mori ishte shfuqizimi i vendimit për reciprocitet.
Dialogu Kosovë -Serbi rifilloi më 16 korrik 2020 në Bruksel, me takimin e kryeministrit Avdullah Hoti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq, ku tema kryesore ishin personat e pagjetur dhe bashkëpunimi ekonomik. Ndërsa më 4 shtator në Uashington, u nënshkrua marrëveshja Kosovë-Serbi, me ndërmjetësimin e SHBA-së, për normalizim ekonomik.
Marrëveshja përfshin një sërë projektesh ekonomike, si ndërtimi i autostradës, i linjës hekurudhore dhe nisja e fluturimeve Prishtinë-Beograd. Në këtë marrëveshje, palët po ashtu janë pajtuar që SHBA të kryejë studim fizibiliteti në Ujman.
Pas zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit 2021 në Kosovë, lideri i partisë fituese Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, ka paralajmëruar se dialogu do të jetë prioritet i katërt në qeverisjen e tij, ndërsa emisari special i BE-së Mirosllav Lajçak ka thënë se pret takimin Kurti-Vuçiq para verës.