Shoqata e Gastronomëve të Kosovës ka insistuar se në momentin që masat aktuale mund të ndryshojnë, do të ketë organizim të protestave.
Gastronomët me anë të një njoftimi thonë se, nuk kanë ndërruar mendjen në lidhje me organizimin e protestave të mundshme.
“Në momentin që masat aktuale mund të ndryshojnë, do të ketë organizim të protestave, ku paraprakisht do të ju njoftojmë rreth detajeve tjera”, thuhet në reagim./telegrafi/
SQARIM PËR PUBLIKUN
Në mbledhjen e Këshillit Drejtues të Shoqatës më dt. 04.03.2021, është diskutuar ideja e organizimit të marshit protestues këtë të hënë në ora 15:00 në sheshin Skënderbeu pranë Qeverisë, NË RAST TË ASHPËRSIMIT TË MASAVE AKTUALE (zvogëlimi i orarit të funksionimit të bizneseve, zvogëlimi i shërbimeve, etj).
Qëllimi i këtij organizimi ka qenë kundërshtimi i ashpërsimit të masave Anticovid, të cilat ka pasur pritshmëri të merren si pasojë e zhvillimeve dhe paralajmërimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK-së). Mirëpo një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Rrjedhimisht nuk ka protestë.
E theksojmë përsëri! Në momentin që masat aktuale mund të ndryshojnë, do të ketë organizim të protestave, ku paraprakisht do të ju njoftojmë rreth detajeve tjera.
Shoqata e Gastronomëve të Kosovës