Paneli për Ankesa dhe Parashtresa ka urdhëruar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të rinumërohen 134 vendvotime.
“Rezultati që del nga rinumërimi i këtyre vendvotimeve do të përfshihet në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve”, thuhet në njoftimin e tyre.
Paneli nuk ka treguar se cilat vendvotime do rinumërohen dhe nuk ka thënë nëse votat që do rinumërohen janë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
PZAP-ja dje ka aprovuar ankesën e Florentina Gjergjajt të AAK-së, që të rinumërohen fletëvotimet me kusht në të gjitha Komunat e Kosovës dhe të gjitha fletëvotimet nga diaspora, sa i përket kandidatëve të AAK-së. Gjergjaj kishte akuzuar publikisht bashkëpartiaken Meliza Haradinaj-Stublla se ia kishte vjedhur votat, derisa kjo e fundit kishte paralajmëruar se do ta padiste Gjergjajn.
Ndryshe, mëngjesin e sotëm Meliza Haradinaj-Stublla ka dhënë dorëheqje nga pozita e ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe nga të gjitha funksionet në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, pas skandalit lidhur me votat në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj-Stublla ka shkruar se nuk ndjen përgjegjësi për akuzat për manipulim votash, por se e ka marrë këtë vendim për shkaqe morale.
Në postimin e saj, Haradinaj-Stublla ka thënë se kërkon që Prokuroria të ndriçojë sa më parë rastin, teksa e ka quajtur inskenim një video në të cilën pretendohej për mashtrime të kryera nga bashkëshorti i saj.