Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) në bashkëpunim me Qendrën Kosovare për Studime Gjinore (QKSGj) dhe Agjencinë për Barazi Gjinore (ABGj) kanë nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi.
Memorandumi u nënshkrua nga z.Luan Latifi – Kryeshef Ekzekutiv në KPM, znj.Edi Gusia – Kryeshefe Ekzekutive në ABGj dhe znj.Luljeta Demolli – Drejtore Ekzekutive në QKSGj. Me këtë rast, përfaqësuesit e tri institucioneve u shprehen të kënaqur me arritjen e kësaj marrëveshjeje, si dhe u zotuan në arritjen e qëllimeve e objektivave të memorandumit.
Memorandumi ka për qëllim përcaktimin e modaliteteve, instrumenteve dhe mënyrave të bashkëpunimit në mes të palëve nënshkruese, me qëllim të zhvillimit të aktiviteteve në promovimin e barazisë gjinore në media.
KPM, AGJB dhe QKSGj do të angazhohen në realizimin e projekteve hulumtuese në temat që ndërlidhen me promovimin e barazisë gjinore në media, organizmin e aktiviteteve që kanë të bëjnë me ngritjen e kapaciteteve njerëzore në aspektet e promovimit të barazisë gjinore në media, organizmin e aktiviteteve vetëdijësuese, konferencave dhe tryezave të diskutimit që kanë si temë çështjen e barazisë gjinore.
Gjithashtu palët nënshkruese do të mundësojnë shfrytëzimin e kapaciteteve teknike dhe njerëzore të zyrës, përmes ofrimit të ekspertizës në kuadër të realizimit të projekteve të përbashkëta.
Të gjitha hulumtimet dhe analizat nga projektet e përbashkëta do të publikohen dhe të jenë shërbim të publikut dhe profesionistëve të medias.