Këtë të dielë, më 14 mars, Lidhja Demokratike e Kosovës do të mbajë Kuvendin e saj zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të ri të partisë pas dorëheqjes së kryetarit në detyrë, Isa Mustafa si pasojë e rezultatit të dobët që kjo parti tregoi në zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë – duke shënuar rënie për rreth 120 mijë vota.
Isa Mustafa dha dorëheqje nga pozita e kryetarit të LDK-së më 15 shkurt, një ditë pas zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, ndërsa 14 marsi, saktësisht një muaj nga dita e zgjedhjeve parlamentare do ta zë LDK-në me kryetar të ri, shkruan lajmi.net.
Deri më tani, për të parin e LDK-së ka katër kandidatura zyrtare, tre prej të cilave janë njerëz të rëndësishëm brenda strukturave të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Lumir Abdixhiku, Anton Quni dhe Lutfi Haziri janë tre nga katër emrat, ku përfshihet edhe një anëtar i LDK-së, Skender Gashi i cili nuk është shumë i njohur për publikun.
Derisa dilema lidhur me kryetarin e ri të LDK-së do të zgjidhet me 14 mars, lajmi.net do t’iu sjell detaje të karrierës politike, jetës dhe angazhimit të kandidatëve tashmë zyrtarë për të marrë kreun e LDK-së.
Lutfi Haziri:
Shkollën fillore dhe gjimnazin i përfundoi në Gjilan, ndërsa studimet në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore në degën e Biologjisë i përfundoi në Universitetin e Prishtinës ku ishte edhe anëtar i strukturave udhëheqëse të studentëve.
Që nga viti 1990, Haziri ishte anëtar i strukturave të Ministrisë së Brendshme të Kosovës dhe udhëheqës i disa funksioneve në kuadër të strukturave paralele. Në mars të vitit 1990, Haziri zgjedhet kryetar i Degës së Forumit të Rinisë së LDK-së në Gjilan dhe këtë funksion e ushtroi deri në vitin 1997. Në këtë vit, Haziri zgjedhjet zëvendëskryetar i degës së LDK-së në Gjilan dhe anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së në Prishtinë. Deri në vitin 2000, Haziri i kreu të dy këto funksione.
Në vitin 1999, Haziri u zgjodh zëvendëskryetar i Komunës së Gjilanit, ndërsa në nëntor të vitit 2000, ai u zgjodh kryetar i kësaj komune, në të cilën pozitë qëndroi deri në vitin 2004.
Në qershor të vitit 2001, Lutfi Haziri u zgjodh kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës. Në këtë funksion, Haziri u zgjodh edhe udhëheqës i delegacionit të komunave të Kosovës në Kongresin e Pushtetit Lokal dhe Regjional në Strasbourg (Këshilli i Evropës).
Në dhjetor të vitit 2004, Haziri u zgjodh ministër i parë për Administrim të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës. Paralelisht në vitin 2004, Haziri u zgjodh edhe anëtar i Kryesisë Qendrore të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Haziri është edhe anëtar i Bordit të Rrjetit të Autoriteteve Lokale në Evropën Juglindore (NALASEE), anëtar i Komisionit Buxhetor të Kosovës , Qytetar Nderi i Komunës Luterbah në Strasbourg (Francë) dhe anëtar i Kolonel Kentucky, Shtetit të Kentucky në SHBA.
Haziri posedon diplomën për Menaxhim nga OSBE-ja, certifikatën e Universitetit Georgetown, Washington DC, Colorado University SHBA, diplomë nga Instituti Amerikan për Paqe – USIP, si dhe shumë mirënjohje dhe certifikata nga institucionet vendore e ndërkombëtare.
Më 8 mars 2006 Haziri është zgjedhur edhe në pozitën e zëvendëskryeministrit të Kosovës, ndërsa për një kohë ai ushtroi detyrën e kryetarit të degës së LDK-së në Gjilan, atë të anëtarit të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, të deputetit të Parlamentit të Kosovës, ndërsa në vitin 2009 ai u zgjodh për herë të dytë kryetar i komunës së Gjilanit, për t’u zgjedhur edhe dy herë me radhë në vitin 2013 dhe për herë të katërt në vitin 2017, pozitë të cilën e ushtron aktualisht.
Haziri është aktualisht zëvendëskryetar i LDK-së, kryetar i degës së LDK-së në Gjilan dhe kryetar i komunës së Gjilanit, ndërsa është futur edhe në garën për të parin e LDK-së.
Anton Quni:
Anton Quni është i lindur në fshatin Fshaj të Gjakovës. Ai ka jetuar në Zvicër deri në vitin 1998 kur edhe u kthye në Kosovë për t’iu bashkangjitur luftës për liri të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Quni është ish-Komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe pas luftës ai ka shërbyer në Trupat Mbrojtëse të Kosovës dhe në Forcën e Sigurisë së Kosovës deri në vitin 2006 kur edhe u bë përgjegjës për Siguri Kombëtare në kabinetin e ish-presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu.
Quni ka studiuar në Akademi Ushtarake dhe është i graduar si oficer i karrierës. Gjatë Luftës në Kosovë ai u bashkua me radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nën komandën e ministrit të atëhershëm Ahmet Krasniqi.
Në vitin 2010, Anton Quni u bë deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës për herë të parë dhe që nga ai vit ai e ushtron këtë detyrë.
Aktualisht, Quni është Ministër i Mbrojtjes i Kosovës dhe kryetar i degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prizren.
Lumir Abdixhiku:
Lumir Abdixhiku është i lindur në vitin 1983 në Prishtinë dhe ka kryer studimet e doktoraturës në Ekonomi në Universitetin e Staffordshire.
Përpara se të angazhohej politikisht, Abdixhiku ishte aktivist i shoqërisë civile. Ai drejtoi institucionin e njohur Riinvest ku ai dhe shumë studiues të tjerë avokuan në fushën e privatizimit, zhvillimit ekonomik dhe demokracisë.
Abdixhiku garoi për herë të parë për deputet në zgjedhjet e vitit 2017 ku fitoi postin e deputetit dhe njëkohësisht ishte Kryetar i Komisionit të Buxhetit dhe Financave në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Në vitin 2019, Abdixhiku ishte politikani i 9-të më i votuar në Kosovë dhe filloi mandatin e tij të dytë si deputet në Parlamentin e Kosovës dhe më pastaj, u zgjodh në postin e ministrit të Infrastrukturës dhe Mjedisit.
Aktualisht, Abdixhiku është anëtar i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe pretendent për të marrë postin e udhëheqësit të këtij subjekti politik.