Gjykata Themelore në Prishtinë ka marr vendim ndaj Kryetarit të Komunës së Kllokotit, Bozhidar Dejanoviq.
Në njoftimin e gjykatës thuhet se ka caktuar masën e paraburgimit kundër Dejanoviq për shkak se ka kryer veprën penale “Cenim i përcaktimit të lirë të votuesve”.
“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit B.D. për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve nga neni 210 të KPK-së”, thuhet në njoftim.
Për këtë vepër kryetarit të komunës gjykata i ka caktuar masën e paraburgimit për një muaj.
“Gjyqtarja e procedurës paraprake të pandehurit B.D., i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, pasi që e njëjta ka konstatuar se janë përmbushur kushtet për caktimin e paraburgimit nga neni 187 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 e 1.2, pika 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 të KPPRK-së”, thuhet në njoftimin e gjykatës.
Tutje gjykata ka shtuar se “Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri B.D në cilësinë e Kryetarit të Komunës së Kllokotit, ka kanosur seriozisht punëtorët e komunës së Kllokotit dhe qytetarët e kësaj komune, duke ndikuar në vullnetin e tyre që të votojnë në mënyrë të caktuar, për një subjekt të caktuar politik dhe për kandidatë të caktuar”.