Kandidati për kryetar të LDK-së, Lutfi Haziri ka folur shkurt pët Gazeta Blic, pak orë para mbajtjes së Kuvendit Zgjedhor, i cili pritet të mbahet nesër nga ora 11:00.
Haziri në një prononcim të shkurtër për Gazeta Blic ka theksuar se ai nesër pret unitet, derisa është shprehur optimist se LDK pas këtij Kuvendi do ta bëjë rikthimin e madh.
“LDK do të dëshmoj unitet në konkurrencë, bashkimi i të gjithëve për rikthimin e madhe, duke respektu dhe afirmu vlerat e saja të demokracisë”, tha Haziri, për Gazeta Blic.
Ndërsa, kundërkandidati i tij, Besian Mustafa përmes një statusi në Facebook ka folur për Kuvendin Zgjedhor të LDK-së.Ai është shprehur i bindur se LDK do të dalë edhe më e fortë dhe më unike nga ky kuvend.
Shënimi i plotë i Mustafës:
Unë, Lumiri, Lutfiu, Antoni, etj. jemi LDK, fund e krye! Nesër në mëngjes jemi kundërkandidat në garën më demokratike në politikën kosovare. Nesër në mbrëmje jemi miq, bashkëpartiak dhe kolegë të rreshtuar pas kryetarit të ri. Që nga dita e parë e LDK-së, 23.12.1989, na ka udhëhequr uniteti, solidariteti, dialogu, vizioni!
Ashtu siç pritej, në medie u fol shumë, u munduan të na bëjnë pjesë të grupeve e skemave imagjinare. Por, ne ishim, jemi dhe do të jemi gjithmonë të bashkuar rreth LDK-së!
Heshtja që po mbizotëron ende brenda LDK-së duhet thyer shpejtë, shumë shpejtë. Ja kemi borxh të gjithë qytetarëve të Kosovës, të gjithë brezave të saj.Po ndaj me ju disa rreshta të babit tim, shkruar më 27.02.1989, pak muaj para se të themelonte LDK-në, mbi heshtjen e atëhershme rreth grevës së minatorëve:
“Intelegjencia krijuese e vendit, pjesa dërrmuese e intelektualëve që betohen shpesh në humanizëm, në demokraci dhe në lirinë e shpirtit e të mendjes, këto ditë ranë në një provim të rëndë moral, që për intelektualët dhe inteligjencien e njëmendët, s’ka dyshim, është rënia dhe pësimi më i rëndë. Po bëhen shtatë ditë të tëra që kur minatorët e Trepçës gjendjen në galeritë e thella e të ftohta të nëntokës, kurse pjesa dërrmuese e inteligjencis së vendit hesht, rri dhe bën sehir me një dramë të paparë njerëzore, me një tragjedi…
Indiferenca dhe turpi, sprova dhe katandisja morale mund të jetë e pafund, veçmas kur inteligjencia kalkulon me qëndrime, disponime dhe me strategji të ndryshme pragmatike e politikaniste…Me dramën e minatorëve njeriu duhet të solidarizohet, kurse drama, katandisja morale dhe heshtja e inteligjencias së vendit njëmend është për ngushëllim.”Ndërkohë Gazeta Blic ka provuar që të flas edhe me dy kandidatët tjerë për kryetar të LDK-së, Lumir Abdixhiku e Anton Quni, por kontakti ka qenë i pamundur.Në anën tjetër, edhe lideri në dorëheqje i LDK-së, Isa Mustafa ka folur pak para mbajtjes së Kuvendit Zgjedhor.
“Besoj se LDK do të rikonsolidohet shpejt si parti prirëse në Kosovë. Unë do të vazhdoj tani me një intensitet të veçantë punën time shkencore”, tha Mustafa një ditë parë Kuvendit Zgjedhor të Lidhjes Demokratike të Kosovës”.Po politika ai tha se “ajo është pjesë e jetës”.
Megjithëkëtë, ai ka thënë se do t’i përcjellë zhvillimet në Kosovë dhe nuk do të mbetet neutral.
“Nuk do të mbetem neutral ndaj ardhmërisë së vendit tim, sepse kam qenë akter i ndërtimit të shtetësisë tonë”, ka shtuar Mustafa.Në këtë intervistë për Albanian Post, Mustafa ka folur edhe për zgjedhjen e kryetarit të ri të LDK-së, që pritet të zyrtarizohet të dielën në Kuvendin Zgjedhor të kësaj partie.
“Është LDK e vetmja parti politike në Kosove që ka shumë kandidatura për kryetar. Në LDK, kryetari zgjidhet, tjerët i emërojnë. Kandidimi është çështje guximi, kurajoje”.
Ai ka fjalë të mira edhe për katër kandidatët që synojnë të ulën në ulësen e kreut të LDK-së për katër vitet e ardhshme.Por sipas tij “procesin e dëmton tifozllëku”.