Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e ka uruar kreun e ri të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
Kurti teksa uron Abdixhikun thotë se është interes i përbashkët i çdo qytetari të Kosovës që partitë politike të hedhin hapa përpara sa i përket demokratizimit të brendshëm.
Kurti thotë se të gjithë mund të japin shumë për Kosovën e askush askujt nuk mundet t’ia mohojë këtë të drejtë.
Urimi i plotë i Kurtit:
Dëshiroj të uroj punë të mbarë për z. Lumir Abdixhiku, i cili është zgjedhur kryetar i ri i LDK-së.
Është interes i përbashkët i çdo qytetari të Kosovës që partitë politike të hedhin hapa përpara sa i përket demokratizimit të brendshëm, bashkëpunimit midis opozitës dhe qeverisë për punë të dobishme, por edhe opozitarizmi i fortë për çështje të argumentuara drejt e saktë.
Nga ana ime, vullneti e korrektësia për bashkëpunim në interes të vendit e në përputhje me verdiktin që qytetarët dhanë në zgjedhjet e 14 shkurtit, nuk do të mungojë asnjëherë.
Të gjithë mund të japim shumë për Kosovën, e askush askujt nuk mundet më t’ia mohojë këtë të drejtë.