Elhami Shabani dhe Herolind Nishevci kanë zënë vendet e pesta në Premier Ligën e karatesë, e cila prej 12-14 mars u mbajt në Stamboll të Turqisë. Të dy garuesit tanë, bursistë Olimpikë të Komitetit Olimpik të Kosovës, humbën luftat për medaljen e bronztë, por që vendi i pestë në një garë të tillë vlerësohet sukses.
Të dy karateistët tanë fituan pikë Olimpike për Lojërat Olimpike Tokio 2020.
Shabani, në kategorinë deri në 75 kilogramë, u përballë me gjermanin, Noah Bitch, me të cilën barazoi 0:0, por që gjyqtarët vendosën t’i japin fitoren 3:2 garuesit nga Gjermania, vendim ky të cilin karateisti ynë e konsideroi të padrejtë, njofton KOK, përcjell Demokracia.com.
“Gjyqtarët ia dhanë fitoren kundërshtarit, shkaku që vjen nga një shtet i fortë. Të gjithë gjyqtarët që e kanë parë meçin më kanë shkruar, duke më thënë se unë e meritova fitoren. Gjyqtari kryesor që ishte nga Maqedonia e Veriut e ngriti flamurin për mua, por të tjerët ishin kundër”, tha Shabani për faqen zyrtare të KOK-ut, www.noc-kosovo.com.
Shabani të shtunën shënoi katër fitore, ndërsa mundi edhe kampionin e botës nga viti 2018, iranianin Bahman Asgari.
“Jam shumë i kënaqur me veten, pasi mposhta bindshëm kampionin e botës, njëherit numrin një në renditjen Olimpike, i cili e ka siguruar normën. Besoj se pas kësaj fitore, mund ta mposhti secilin garues”, shtoi ai.
Karateisti tjetër, Nishevci, garoi në kategorinë plus 84 kilogramë. Në luftën për medaljen e bronztë u mposhtë nga Asiman Gurbanli i Azerbajxhanit, përkundër se ishte në epërsi. Edhe Herolindi të shtunën kishte shënuar tri fitore për të arritur në luftën për medaljen e bronztë, pasi ishte ndalur në gjysmëfinale.
“Jam shumë i kënaqur me paraqitjen, sepse po kthehem pas një pauze njëvjeçare. Shpresoj që në garën tjetër të fitojë medaljen. Paraqitja në Stamboll e dëshmoi se jam në rrugën e duhur”, deklaroi Nishevci.
Të dy garuesit, bashkë me Fortesa Oranën, javë më parë morën pjesë në kampin përgatitor të mbajtur në Dubai, shpenzimet e të cilave i mbuloi KOK-u.
Ata mbeten pretendentë për të fituar normën Olimpike, ndërsa shpresat më të mëdha i kanë në turneun kualifikues që në muajin qershor mbahet në Paris të Francës.
Sukses në Premier Ligën e Stambollit arriti edhe Festina Curri, e cila përfundoi në vendin e shtatë, pas tri fitoreve të realizuara në kategorinë -68 kg.
Prej garuesve tjerë, Albinot Selmani (-60 kg) fitoi një luftë, ndërsa Albulena Gërvalla (-55 kg), Adelina Rama (-60 kg), Ylli Cenaj (-67 kg) dhe Fortesa Orana (+68 kg), u ndalën në luftën e parë.
Premier Liga e Stambollit ishte e para e mbajtur pas më shumë se një viti, shkaku i pandemisë Covid 19