Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka vendosur që rastin e vrasjes së Agonis Tetajt ta ricaktojë te një prokuror tjetër, shkruan Reporteri.net.
Kësisoj pokurori Agron Uka është larguar nga kjo lëndë. Përmes një komunikate për media, ai ka bërë të ditur se do të kërkojë nga trupi gjykues që të mos e shpallë shqyrtimin gjyqësor të përfunduar, por të marrë prova të tjera të nevojshme, të cilat do ta zbardhin tërësisht të vërtetën në këtë çështje penale-juridike, konform nenit 357, paragrafi 1 të KPPRK-së.
Në njoftim po ashtu thuhet se pas vlerësimit të lëndës, të gjithë ata që kanë bërë sjellje eventuale joprofesionale dhe në kundërshtim me ligjin do të përgjigjen për veprimet e tyre.
“Po ashtu, pas vlerësimit të lëndës, të gjithë ata që kanë bërë sjellje eventuale joprofesionale dhe në kundërshtim me ligjin do të përgjigjen për veprimet e tyre”, thuhet në njoftim.
Kujtojmë se Babai i Agonis Tetajt ka publikuar një video me pamje të rënda të ngjarjes që ka ndodhur në Deçan dy vjet më parë ku shihet se si i akuzuari Shaban Gogaj kishte qëlluar me armë zjarri duke e lënë të vdekur të birin e tij i cili ishte duke punuar në kompaninë e dorasit. Publikimi i kësaj video është bërë si reagim pasi prokurori i rastit në fjalën përfundimtare, të martën, e ka rikualifikuar veprën penale nga “Vrasje e Rëndë” në “Vrasje nga Pakujdesia”.