Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku tha sot se gjatë fundjavës do të formohet Kryesia e LDK-së dhe aty do të marrim vendimin lidhur me votimin rreth formimit të institucioneve të Kosovës, saktësisht presidentit.
Abdixhiku pas takimit me zëvendëskryeministrit e Maqedonisë, Artan Grubi në një konferencë për media tha se ajo çfarë LDK synon është që t’i shmang zgjedhjet dhe të kontribuojë në formimin e institucioneve.
“Ne nesër kemi takimin bilateral, me palën tjetër. Po besoj që gjatë vikendit do të formojnë organet e partisë, siç është Kryesia e LDK-së dhe aty e marrim vendimin për të gjitha çështjet në koordinim të plotë me grupin parlamentar të LDK-së. Tani për tani, ajo çfarë kam thënë është se LDK synon t’i shmang zgjedhjet, të kontribuoj në formimin e institucioneve dhe këto institucione të jenë demokratike, të përfaqësojnë të gjitha partitë politike, në veçanti pozita e presidentit. Për çështje tjera do të kuptoni pas takimit të nesërm”, tha kryetari i LDK-së, raporton Telegrafi.