Pas një sëmundje të rënd dhe të gjatë ka vdekur sot në moshën 74 vjeçare, Hamit Aliu, kryetari i Ansamblit, “‘Bajram Curri” dhe një valltar me emër i kësaj ane.
Aliu lindi në fshatin Shurdhan, me 5 janar 1947. Punoi për shumë vite mësimdhënës në fshatin Shurdhan.
Në vitin 1970 së bashku me një grup entuziastësh të këngëve dhe valleve burimore të kësaj ane të Karadakut të Gjilanit, themeluan Ansamblin e Folklorit Burimor “Bajram Curri” në fshatin Shurdhan.
Hamit Aliu, valltar, u zgjodh Kryetar i Kuvendit të këtij Ansambli.
Ai ishte një valltar i njohur i cili i mbeti besnik ansamblit deri më sot.
Ansambli në themelim kishte seksionin e valleve, këngëve, orkestrinën dhe grupin e lojërave dimërore, të barinjve dhe të fëmijëve.
Si valltar i dalluar, Hamit Aliu njihet për kontributin e dhënë për arritjen e sukseseve të ansamblit.
Ky Ansambël, prej themelimit e deri më tash, ka prezantuar folklorin burimor të kësaj pjese të Kosovës, në gjithë Kosovën, në territorin e ish-Jugosllavisë, në Ballkan e më gjerë.
Krejt këto suksese të këtij ansambli padyshim që kanë vulën e kontributit edhe të të ndjerit Hamit Aliu.