Në nderim të rënies së dëshmorit të kombit, Agim Rashiti, sot në Gjilan janë mbledhur për të bërë homazhe pranë varrit të tij dhe lapidarit të dëshmorit, të cilin e kanë kujtuar udhëheqësit e institucioneve lokale dhe qendrore, mjekë, sportistë dhe familjarë të shumtë.
Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, ka thënë se homazhet janë gjithmonë një kthesë në rrënjët tona dhe thirrje për punë të pandalur, që amaneti i dëshmorëve dhe të rënëve për liri të jetësohet përditë në shërbim të Republikës dhe qytetarëve të saj.
“Këto ngjarje dhe kujtimet që ne bëjmë për dëshmorët, martirët dhe të rënët për liri, është një kujtim për sakrificën dhe flijimin e tyre i cili do të jetë i freskët gjithmonë sa të ketë jetë në tokë, sepse ata ishin të tillë, ranë për të jetuar të tjerët dhe si të tillë ata nuk vdesin kurrë. Nga këto takime ne përherë dalim më të përkushtuar që të vazhdojmë me punë për zhvillim, ndërsa familja dhe kolegët duhet të bëhen të fortë për njeriun e tyre që kishin me vlera të larta shoqërore dhe kombëtare. Agimi sot dhe gjithmonë, është i të gjithë neve, sepse, ai ra për lirinë e Kosovës dhe të shqiptarëve kudo që janë”, ka thënë nënkryetari Ismajli.
Kurse në emër të familjes, Nevzad Rushiti, ka falënderuar të gjithë të pranishmit që edhe pas gjithë këtyre viteve Agimi është i paharruar për të gjithë Gjilanin e Kosovën dhe në këtë formë familja vetëm sa bëhet më e fortë që e kishin një djalë si Agimi tashmë dëshmorë i kombit.