Kosova sonte ka pranuar 24 mijë vaksina në luftën kundër pandemisë së koronavirusit, duke u bërë kështu shteti i fundit që pranon dozat e vaksinës, shkruan Gazeta Metro.
Pas arritjes së këtyre vaksinave, zyrtarët qeveritarë kanë dalur në ceremoninë e pranimit, të cilët më pas kanë mbajtur fjalime.
Pjesëmarrës ishte edhe ministri i shëndetësisë, Arben Vitia, i cili falënderoi aleancën COVAX për këto doza vaksinash, derisa tha se vaksinimi duhet të fillojë menjëherë.
‘’ Ka kaluar më shumë se një vit nga rastet e para, dhe sot jemi në gjendje të rëndë, me numër të lartë të vdekjeve ditore, dhe kapacitet të tejkaluar. Kohë për të humbur nuk kemi, do fillojmë me dozat e para, aty ku beteja është më e vështirë, në Klinikën Infektive’’, tha Vitia.
Ai shtoi se masat kufizuese duhet të vazhdojnë të mbahen, pavarësisht se vaksinat janë siguruar.
”Vend për çlirim nuk ka, edhe pse po fillon vaksinimi, pandemisë nuk po i vjen fundi. Ne duhet të vazhdojmë të respektojmë masat anti-covid, të mbajmë maskën, higjienën personale, dhe t’u shmangemi ambienteve të mbyllura”, shtoi Vitia.