Administrata Tatimore e Kosovës ka njoftuar se në bazë të vendimit të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve Publike në krye me Hekuran Muratin ka marrë vendim për zgjatjen e afatit të deklarimit të pasqyrave financiare për vitin 2021.
Sipas këtij njoftimi thuhet se ky vendim është marrë ashtu siç kërkohet me Legjislacionin Tatimor dhe Ligjin për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditim.
“Bazuar në Vendimin e Ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve Nr. 15/2021 të datës 29.03.2021, Administrata Tatimore e Kosovës, ju njofton se zgjatet afati për deklarimin dhe pagesën e tatimeve, si dhe deklarimin e Pasqyrave Financiare, ashtu siç kërkohet me Legjislacionin Tatimor dhe Ligjin për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditim”, thuhet në njoftim.
“Deklarimet dhe pagesat e bëra deri në afatin e zgjatur sipas tabelës në këtë njoftim, nuk i nënshtrohen ndëshkimeve të përcaktuara në legjislacionin tatimor në fuqi. Për të gjitha llojet e tjera të tatimeve dhe kontributeve, afati për deklarim dhe pagesë mbetet ashtu siç është i përcaktuar me Legjislacionin tatimor në fuqi. Administrata Tatimore, inkurajon të gjithë tatimpaguesit, të cilët nuk kanë vështirësi financiare, të vazhdojnë me përmbushjen e detyrimeve tatimore brenda afatit të rregullt ligjor”.