Kryesia e Kuvendit të Kosovës, pas mbledhjes së rregullt është bërë ndarja e komisioneve Parlamentare, ndërsa është bërë të ditur se seanca e radhës e Kuvendit do të mbahet të premten në orën 10:00, ku do të bëhet betimi i deputetëve të rinj dhe formimi i komisioneve, ndërsa nuk dihet ende se kur do të votohet presidenti, shkruan Gazeta Metro.
Kryesia e Kuvendit të Kosovës, sot ka mbajtur mbledhjen e rregullt ku është bërë ndarja e Komisioneve Parlamentare.
Deputetja, Mimoza Kusari-Lila tha se janë shtatë komisione parlamentare në të cilat Vetëvendosje do të ketë kryesues dhe zëvendëskryesues.
“Grupi parlamentar i Vetëvendosjes në këtë legjislaturë, do të kryesojë komisionin për buxhet dhe transfere, atë për legjislacion, komisionin për punë të jashtme, komisionin për arsim, komisionin për bujqësi, komisionin për shëndetësi, dhe atë për qeverisje lokale zhvillim rajonal dhe media”, tha ajo.
Ndërkaq nënkryetar do të kemi në komisionin për të drejta dhe interesat e komuniteteve, komisionin për integrim evropian, komisionin për ekonomi, komisionin për industri, ndërmarrësi e tregti, komisionin për çështje të sigurisë, komisionin për të drejtat e njeriut, komisionin për financa publike, dhe komisionin për mbikëqyrjen e AKI-së”, tha Kusari-Lila.
Ndërsa votimi për zgjedhjen e presidentit, deputetja Mimoza Kusari-Lila tha se do të bëhet në një seancë tjetër për të cilën ende nuk është bërë e ditur kur do të mbahet.
Duhet theksuar se lideri i LDK’së, Lumir Abdixhiku, sot do të takohet me deputetët e këtij subjekti politik ku do të diskutohet rreth votimit të Vjosa Osmanit për presidente, siç dihet Osamnit i duhen votat e LDK’së për t’ia bërë korumin në mënyre që të mund të zgjidhet presidente.